Specializantët: Protesta e ardhshme do të nis dhe s’do të ketë fund

Specializantët: Protesta e ardhshme do të nis dhe s’do të ketë fund

Disa nën hije e disa nën diell, mantelet e bardhë janë mbledhur në oborrin e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Maqedoninë e Veriut, për të protestuar kundër sulmeve fizike dhe verbale ndaj mjekëve.

Qindra punonjës shëndetësor iu bashkuan protestës me moton “mjaftë është”.

Organizatorë të protestës janë Asociacioni i specializantëve dhe mjekëve të rinj. Ata thonë se kjo është protesta e fundit paralajmëruese, radhës tjetër, do të fillojnë protestë për të mos përfunduar deri sa nuk plotësohen kërkesat. Sipas tyre faji i sistemit shëndetësor nuk duhet të hidhet te mjekët. Mjekët kërkojnë që të kenë siguri më të lartë gjatë punës së tyre dhe sulmet ndaj doktorëve të trajtohen si sulme ndaj policëve.

Nuk lejohet asnjë lloj i dhunës ndaj personelit mjekësor. Nuk duhet që pakënaqësia nga sistemi të rezultojë me dhunë fizike as verbale, mbi mjekët. Në këtë moment themi “Mjaftë është”. Koha e mos veprimit dhe injorimit të këtij problem të madh, nga ana e shtetit është kryer. Koha është të merren zgjidhje urgjente dhe sistematike dhe të jemi të mbrojtur. Koha është për përmirësim të sistemit shëndetësor. Koha është për shërbime më cilësore ndaj pacientëve. Koha është që personeli të punoj në kushte adekuatë për punë. Në të kundërtën, po ju paralajmërojmë, nëse nuk gjendet zgjidhje nuk do të punojmë më”, potencoi Nenad Llazarov, kryetar i LSMR.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, iu bashkëngjit protestës. Ai paralajmëroi patrullim mobil në spitalin e vjetër të qytetit, ku siç u shpreh, ka pasur më së shumti incidente, posaçërisht në kujdestari.

Filipçe tha se po merren masa të rrepta në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësisë, ku sulmuesit do të sanksionohen edhe me të holla edhe me burg.

Nuk do të lejojmë që në të ardhmen të ndodhin gjëra të këtilla, kjo e tejkalon çdo logjikë. Punonjësit shëndetësorë me sakrifica e bëjnë punën e tyre, duke i shpëtuar jetën e pacientëve, do të ndërmarrim edhe masa që do ta përmirësojnë statusin e mjekëve”, deklaroi ministri.

Kërkesat e mjekëve janë: Sjellje urgjente e ligjit për veprimtari mjekësore, sanksionim ligjor kundër dhunës së punëtorëve shëndetësor, sipas principit siç është sanksionimi i dhunës ndaj policëve, organizim urgjent dhe serioz të shërbimeve të sigurisë e kështu me radhë. Ndryshe protestë u organizua nëpër shumë qytete, përpara spitaleve.

Nga viti në vit rritet numri i incidenteve, më saktë sulmeve fizike ndaj mjekëve.

Nga gjashtë raste që ishte përpara 5 vjetëve, numri zyrtar i rasteve të denoncuara për punëtorë të sulmuar mjekësor është rritur në 15 për një vjet./TV21