Protestohet kundër vendimit për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve

“Merakli t’kerreve” sot në protesta nga ora 13:00

Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26% ka pasur reagime të shumta nga qytetarët.

Madje, janë organizuar edhe protesta, një prej të cilave do të mbahet sot para objektit të Bankës Qendrore të Kosovës. Protestën e sotme që fillon në ora 13:00 e organizon grupi në “Facebook” “Merakli t’kerreve” kundërshton vendimin e BQK-së.

“Duke e ditur këtë fakt i cili prekë xhepat e secilit qytetar dhe përkeqëson edhe më tutje gjendjen tonë ekonomike, ne si komuniteti më i madh i veturave në Kosovë dhe më gjerë nuk do rrimë duarkryq”, thuhet në njoftimin e këtij grupi.

Ndërkaq protesta tjetër është paralajmëruar për datën 23 nëntor nga “Speedomaniaks”.

BQK-ja dje në një konferencë për media e arsyetoi këtë vendim duke theksuar se nuk ka shkelje ligjore.

“Bazuar në të dhëna zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet shumë qartë se nga vitit 2002, e deri në fund të muajit shtator të këtij viti, shuma e dëmeve të kompensuara kalon shifrën mbi 400 milionë euro, shifër kjo më e lartë krahasuar me vendet e rajonit”, ishte arsyeja e BQK-së

Sipas tyre, të gjitha kompanitë e sigurimit të cilat kanë operuar në Kosovë nga viti 2002 kanë pësuar humbje më shumë se 23. 5 milionë euro, që i bie për çdo vit nga 1.3 milion./21Media

Back to top button