Donjeta Pajazitajt ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit

Donjeta Pajazitajt ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizon protestë paqësore nga ora 09:30 para Gjykatës së Apelit në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për Donjeta Pajazitajn.

Gjykata Themelore në Pejë, në mars të këtij viti e ka shpallur Naser Pajazitin të pafajshëm në akuzën për vrasjen e Donjeta Pajazitajt në vitin 2015, ndërsa e ka dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg në akuzën tjetër për armëmbajtje pa leje.

Donjeta Pajazitajt ishte gjetur e vdekur në bjeshkët e Strellcit të Deçanit në dhjetor të vitit 2015 gjashtë javë pasi ishte raportuar e zhdukur nga familjarët.

Aktakuza ndaj Naser Pajaziti thoshte se derisa Donjeta Pajazitajt ishte duke shkuar në punë, i akuzuari kishte ndalur veturën dhe e kishte marrë atë “duke ecur në këmbë në drejtim të fshatit Strellc i Epërm”.

“Kur arrin te “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë dhe duke shtënë dy herë në kokë e me pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunj, dhe largohet nga vendi i ngjarjes”, kishte thënë prokuroria në njërën nga seancat gjyqësore.

Përveç veprës penale të vrasjes së rëndë, Naser Pajazitaj akuzohet edhe për dy vepra tjera të armëmbajtjes pa leje.

Në njërën nga seancat gjyqësore të këtij rasti, vëllai i Donjeta Pajazitajt e kishte grushtuar të dyshuarin për vrasje, Naser Pajazitajn, derisa ky i fundit po largohej nga salla e gjyqit.