"Mjaft më me arsyetime!”

“Mjaft më me arsyetime!”

Shoqëria Civile e Gjakovës në përkrahje nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në orën 11:00 do të marshojnë prej Parkut të Qytetit deri tek Çarshia e vogël për të kundërshtuar vrasjen e gruas 40 vjeçare dhe vajzës së saj, në Brekoc të Gjakovës dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë.

“Individ e aktivistë/e nga shoqëria civile, të bashkuar/a kërkojmë t’i japim fund dhunës dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime!”, bëhet e ditur në thirrjen e organizatorëve.

Kjo protestë është organizuar si reagim kundër vrasjes së dyfishtë si pasojë e dhunës në familje, në komunën e Gjakovës.

Dhuna në familje është krim dhe si e tillë duhet trajtuar. Dështimi në ofrim të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën na qon deri tek vrasja e tyre nga ushtruesit e dhunës.

Organizatorët kanë përgatitur edhe transport për pjesëmarrje në protestë nga Prishtina për në Gjakovë, nga ora 9:00. Nisja bëhet nga parking mbrapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Mbrëmjen e 7 gushtit në Brekoc të Gjakovës janë vrarë nënë e bijë, Valbona Marku-Ndrecaj dhe vajza e saj 9  vjeçe. Lidhur me këtë rast kanë reaguar krerët e lartë vendor. Dje Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka njoftuar se ka nisur hetimet për mënyrën se si Policia e Kosovës ka trajtuar kërcënimet që Pjetër Nrecaj i kishte bërë bashkëshortes së tij Valbona Nrecajt. Ndërkohë, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë që urgjentisht të fillojë grumbullimin e informatave për të verifikuar çdo mosveprim në trajtimin e ankesave të viktimës i cili mund të cilësohet si element i ndonjë vepre penale.