Protestojnë punëtorët e KEDS-it, paralajmërohet kolaps energjetik

Punëtorët e KEDS-it me ultimatum

Punëtorët e KEDS-it në Mitrovicë kanë protestuar sot për një orë para ndërtesës së kësaj kompanie, duke kërkuar ngritje të pagave, kushte të dinjitetshme për punëtorë, si dhe nënshkrimin e kontratave kolektive, ndërsa paralajmëruan grevë të përgjithshme dhe kolaps energjetik në mbarë vendin, nëse këkesat e tyre nuk plotësohen deri në shtator.

Abdullah Veseli, kryetar i Sindikatës ‘Elektrokosova’ distrikti në Mitrovicë, ka bërë të ditur se vendi do të shkojë në kolaps energjetik nëse qeveria dhe institucionet relevante nuk ndërhynë në menaxhmentin e kësaj Kompanie për t’i ngritur pagat e punëtorëve.

Sipas tij, të gjitha distriktet e vendit do të hynë në grevë të përgjithshme nëse kërkesat e tyre nuk zgjidhen deri në muajin shtator.

“Te ne që sa vite nuk ka ngritje të pagave. Kërkojmë ngritje të pagave, kushte të dinjitetshme për punëtorët…I bëj thirrje qeverisë, institucioneve relevante që të ndërhyjë në këtë menaxhment që t’i ngrisë pagat ose Kosova do të shkoj në kolaps energjetik… Andaj ju bëj thirrje që me çdo kusht mos të vie deri tek kolapsi energjetik sepse në shtator të gjithë punëtorët do të jemi në grevë, dhe deri sa të plotësohen kushtet e punëtorëve, të ngriten pagat, të nënshkruhet kontrata kolektive.. zero dy përqindëshi nuk është i aprovuar”, ka thënë Veseli.

Në anën tjetër, Faruk Mujka nënkryetar i komunës së Mitrovicës, tha se pakënaqësitë e punëtorëve të KEDS-it janë shqetësim për organet komunale dhe qytetarët e këtushëm.

“Me siguri në qoftë se ka pakënaqësi në KEDS dhe munden me rezultu nesër me shërbimet e tyre ndaj qytetarëve të Mitrovicës, atëherë është një shqetësim i madh për ne dhe organet komunale…Thjesht ne përmes institucioneve tona komunale do të bëjmë presion tek institucionet qeveritare duke thënë se kjo ndikon në shërbimet ndaj qytetarëve të komunës… Është mirë që problemet në fillim të sanohen apo të ketë një lloj preventive para se ato të përkeqësohen”, theksoi Mujka.

Ndryshe dje në Prishtinë Federata Sindikale e Pavarur “ElektroKosova”, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshem ku kanë paralajmëruar se nëse nuk përmbushen kërkesat, do të mbahen forma të protestës së përgjithshme nga shtatori i këtij viti.

Back to top button