Protestojnë sindikalistët e Ministrisë së Punëve të Jashtme

Një numër diplomatësh dhe zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme që prej disa muajsh janë larguar në vendet e punës ndërkohë që një pjesë tjetër e tyre janë zhvendosur na detyrat në mënyrë, siç e ka cilësuar Shoqata Sindikale e Ministrisë, të paligjshme dhe arbitrare. Përmes protestës përpara Minstrisë, anëtarët e Shoqatës të mbështetur edhe nga BSPK, i kërkuar menaxhmentit të kësaj ministrie ndërprerjen e praktikave të përndjekjes së diplomatëve dhe shpalljes së konkurseve në mënyrë jashtëligjshme.
Ambasadori Albert Prenkaj tha se në Ministrinë e Punëve të Jashtme është instaluar një mënyrë e jashtëligjshme e sistemit të frikësimit, shantazhit dhe kërcënimit.
Ministria e Punëve të Jashtme u detyrua ta anulojë një konkurs të saj për pranimin e 32 zyrtarëve të Misionit Diplomatik, vetëm pak javë pasi e shpalli atë. Konkursi u cilësua i jashtëligjshëm, meqë sipas një Këshilli të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, shkel në disa pika Ligjin për Zyrtarët Publikë. Në vendimin e Këshillit thuhet se procedurës së rekrutimit të këtyre 32 zyrtarëve nuk i ka paraprirë një procedurë e brendshme e lëvizjes paralele në kuadër të shërbimit civil. Këshilli Gjithashtu i ka kërkuar Ministrisë që për një pozitë tjetër të lirë në kuadër të shërbimit civil, ta kryej procedurën e brendshme të lëvizjes në mesin e zyrtarëve të saj.
Ministria vendosi të shpallë konkurset në kohën kur, siç thonë diplomatët, kishte larguar një numër diplomatësh të tjerë.
Sindikata e Shërbyesve civilë, që iu bashkua protestës së sotme, kërkoi nga Ministria e Punëve të Jashtme që t’i kthejë në punë zyrtarët e larguar nga puna, duke paralajmëruar edhe padi ndaj ministrisë në rastin e kundërt.
Protesta e Shoqatës Sindikale të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës u përkrah edhe nga Bashkimi Sindikatave të Pavarura të Kosovës.
Shoqata Sindikale e anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm të Kosovës kërkoi që të largohen nga detyrat siç tha jo profesionistët dhe grupi i ngushtë menaxhues i vendosur me vendime të jashtëligjshme. Po ashtu, protestuesit kërkuan që të ndërpritet, siç thanë, përndjekja dhe diskriminimi i diplomatëve nëpër komisione të kurdisura, dhe përndjekja e diplomatëve me përvojë të gjatë diplomatike me prapavijë administrativo-politike./21Media

Back to top button