“E vërteta në shesh, të pafajshmit në burgje”

“E vërteta në shesh, të pafajshmit në burgje”

“Ç ‘patët që më rivrisni” ishte njëra nga pankartat e protestuesve të cilët sot u mblodhën tek sheshi Skënderbeu.

Vëllezër, motra e prind të të burgosurve në Maqedoni me shpresë që zëri i tyre i bashkuar do të tingëllojë më fuqishëm, sërish u mblodhën për të shprehur revoltën e tyre, për siç thonë, padrejtësitë që u janë bërë familjarëve të tyre, shkruan tv21.tv

E bija e njërit nga të akuzuarit në rastin e Kumanovës, kërkoi hetim ndërkombëtar pasi sipas saj hetimi për babain e saj po pengohet nga dikush.

“A thu kush po frikohet nga hetimi ndërkombëtar të cilin po e kërkojmë dhe nuk po fillon. Ne jemi për një hetim sepse jemi të pastër. Djemtë e lirisë në çdo seancë kanë kërkuar hetim ndërkombëtar, mirëpo fakti se pushtetarët janë të përfshirë hetimi nuk do të ndodhë asnjëherë por do të jetë një fjalë mediatike. Në këtë shtet dhe pushtet të gjitha afatet ligjore janë shkelur në gjithë procedurat ligjore për rastin e Kumanovës”, tha Artizana Fejzullahu, e bija e Fadil Fejzullahut, i akuzuar në Rastin “Kumanova”.

Kryetari i Shoqatës së të burgosurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani theksoi se dënimet drakonike ndaj shqiptarëve, vendimet e pabaza të gjykatave, shkeljet procedurale e gjykatat e korruptuara janë arsyeja e protestës së sotme.

“Gjykata e apelit dhe gjykatat tjera janë pjesë e një sistemi të korruptuar të drejtësisë, për arsye se këtë nuk e themi ne, këtë e thotë pothuajse çdo vit departameni i shtetit amerikan, Komiteti i Helsinkit si dhe dhjetëra organizata tjera ndërkombëtare që i mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut”, tha Shpëtim Pollozhani, kryetar i shoqatës së të burgosurve politik shiqptar.

Ai shtoi se shqiptarët përpos që vuajnë dënimet pa faj, gjithashtu keqtrajtohen dhe shpërndahen në burgje të ndryshme në Maqedoni duke e vështirësuar vizitën e familjarëve. Pollozhani kërkoi ndërhyrjen e institucioneve kompetente në përmirësimin e kushteve dhe gjetjen e drejtësisë për këta persona.

Nga sheshi Skënderbeu protestuesit marshuan deri para Gjykatës së Apelit.