Protestuesit në Ferizaj: Nuk je hetues civil, je pedofil

Po mbahet protestë në Ferizaj

Sot në Ferizaj është mbajtur marsh protestues, në të cilin u shfaq pakënaqësia me rastin e përdhunimit të një miture në Drenas.

“Nuk je hetues civil, je pedofil”, ” Aborti është zgjedhje jo detyrim”, ishin disa nga thirrjet e marshuesve.

Përfaqësuesja e këshillit organizativ, Dashurie Sefa tha se në vend se të japin dituri, vajzat e mitura po shfrytëzohen seksualisht.

“Ende pa u bërë 6 muaj po mblidhemi në këtë shesh për të protestuar për një vajzë. Po dalim për t’i dhënë mbështetje asaj, që e dhunuan dhe keqtrajtuan. Këtu para gjashtë muajve protestuam për rastin e një nëne dhe vajze të cilët u mbytën nga një burrë. Në vend se t’i jap dituri e bëri skllave seksuale. Këto gra e dinë që nuk gëzojnë të drejtën, sepse janë kapur nga burrat. Ky shtet është i burrave, kjo ngritje në detyra u lejon që të bëjnë keqpërdorime. Ato që nuk flasin e dinë që nuk do të gjejnë mbështetje nga shteti e po ashtu nga një pjesë e shoqërisë. Çdo ditë dhunohen vajzat tona në vendet e punës dhe shkolla. Ato heshtin se e dinë që secila prej thirrjeve do të hasë në vesh të shurdhër, apo ndonjë abuzuesi më të madh”, tha ajo.

Ditë më parë u mbajtën protesta edhe në Prishtinë, e Drenas, si shenjë revolte ndaj rastit të fundit që ka ndodhur në Drenas.

Më 5 shkurt në media u raportua se e mitura nga Drenasi ishte keqpërdorur seksualisht nga profesori SH. XH dhe nga hetuesi policor V. V, ky i fundit e kishte lënë shtatzënë të miturën e pastaj e kishte detyruar që të abortojë.

Mësimdhënësit dhe policit që dyshohet se janë të përfshirë në këtë rast, iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ndërkohë që gjinekologu është në arrest shtëpiak.

Back to top button