Protestuesit në Iran dënojnë “gënjeshtrat” për aeroplanin e rrëzuar

Raportohet se në protesta u përdor edhe gaz lotsjellës

Qindra protestues kanë dalë në rrugë në kryeqytetin e Iranit, Teheran, si shenjë zemërimi ndaj zyrtarëve, duke i quajtur ata gënjeshtarë pasi që në fillim ata kishin mohuar se kanë qëlluar avionin ukrainas me pasagjerë.

Protestat u zhvilluan në oborret e së paku dy universiteteve, ku raportohet se u përdor edhe gaz lotsjellës, transmeton rtv21.tv.

Presidenti amerikan, Donald Trump përmes një postimi në Twitter ofroi mbështetje për këto protesta “frymëzuese”.

Irani të shtunën pranoi se rrëzoi avionin “pa dashje”, tre ditë pas rrëzimit ku humbën jetën 176 njerëz.

Fluturimi i Ukrainës “International Airlines PS752”, gjatë rrugës për në Kiev, u rrëzua të mërkurën pranë Aeroportit “Imam Khomeini” në Teheran menjëherë pas ngritjes, dhe vetëm disa orë pasi Irani kishte gjuajtur raketa në dy baza ajrore që strehonin forcat amerikane në Irak./21Media

Back to top button