Reagime në Shqipëri pas publikimit të një shkrimi që lidh PD-në me rusët

Reagime në Shqipëri pas publikimit të një shkrimi që lidh PD-në me rusët

Partia Socialiste i ka bërë thirrje Prokurorisë të marrë në pyetje liderin e opozitës Lulzim Basha, për të zbardhur të vërteten e financimeve të Partisë Demokratike nga lobet ruse.

Deputetja socialiste Blerina Gjylameti ka deklaruar se kjo çështje përbën një precedent tejet të rrezikshëm, që cenon drejtpërsëdrejti sigurinë kombëtare dhe aspiratat euro-atlantike të shtetasve shqiptarë.

“Prokuroria duhet të marrë në pyetje Lulzim Bashën, sepse vetëm kështu mund të zbardhet kjo aferë, që nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me mbi gjysmë milionë dollarë që askush s’i del për zot se nga kanë ardhur, por ka të bëjë dhe me ndikimet e vendeve të huaja në interesat e Shqipërisë, gjë që e kemi parë të ndodhë rëndom në vendet fqinje, por që deri më sot mendonim se nuk kishin prekur vendin tonë”, tha ajo.

Edhe aleati i PD, Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar për çështjen e financimeve të përdorura nga Partia Demokratike.

Që prej publikimit nga media amerikane të një shkrimi që lidh Partinë Demokratike me rusët, kjo çështje ka dominuar debatin politik ndërkohë që një ditë më parë prokuroria ka thirrur numrin dy të PD Arben Ristani, për të dëshmuar rreth kontratave të lobimit që ka nënshkruar partia më e madhe e opozitës.