PS reagon ndaj Metës: Keqardhje për sjelljen antiligjore të Presidentit

PS: Meta po shkel me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor

Partia Socialiste e Shqipërisë ka reaguar ndaj ish-kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili shkoi menjëherë në Lezhë me eskortën e tij, nga ku u shpreh se ka shkuar atje për të mbrojtur votën.

“Shpreh keqardhjen për sjelljen antiligjore të Presidentit të zgjedhur Ilir Meta, i cili po shkel me të dyja këmbët Kodin Zgjedhor qysh prej ditës së djeshme dhe sot në vazhdim. Përpjekja e zotit Meta për të tensionuar situatën, me deklarata të papërgjegjshme dhe deklaratat zyrtare të LSI-së me akuza vulgare ndaj socialistëve dhe vetë Policisë së Shtetit, janë të dënueshme moralisht, politikisht dhe ligjërisht. Partia Socialiste u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë masivisht në votim dhe u kërkon të gjithë ekipeve elektorale, votuesve, mbështetësve si edhe simpatizantëve të saj, të ruajnë qetësinë.

Mos bini pre e provokimeve skandaloze të Presidentit të zgjedhur e të eksponentëve të partisë së tij, sidomos të “vëzhguesve” të LSI që në disa zona janë elementë me precedentë penale. Ruani qetësinë. Bëni detyrën patriotike ndaj Shqipërisë sot me votën tuaj dhe përballoni me shumë vetëpërmbajtje, ofensivën mizerabël të Presidentit të zgjedhur mbi procesin zgjedhor.

Këto zgjedhje, janë nisur për të qenë më çdo aspekt me të mirat që Shqipëria ka zhvilluar ndonjëherë, prandaj çdo zgjedhës e zgjedhëse që merr pjesë me qetësi e qytetari në votime, pavarësisht për kë voton, jep një kontribut të shkëlqyer qytetar e atdhetar”, shkruhet në reagimin e PS-së./21Media

Back to top button