Sipas Komunës ky objekt është i papërshtatshëm

Sipas Komunës ky objekt është i papërshtatshëm

Zyrtarë të komunës së Prishtinës kanë dalë para gazetarëve për ta dhënë versionin e tyre rreth gjendjes së ndërtesës së gjimnazit “Ahmet Gashi” për të cilin sot nxënësit dolën në protestë.

Drejtoria e Arsimit në komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se deri tek mbyllja e gjimnazit të shkencave natyrore “Ahmet Gashi” ka ardhur nga një vlerësim i cili ka treguar se objekti i shkollës nuk i plotëson kushtet për mësim dhe se rrezikon nxënësit.

Kjo drejtori ka marrë vendim që nxënësit e klasës së 10-të të kësaj shkolle të vendosën në objektin e shkollës fillore “Emin Duraku”, kurse klasat e 11-ta dhe të 12-ta do të vendosën në Gjimnazin “Sami Frashëri”.

Drejtoresha e Arsimit, në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala tha se objekti i shkollës “Ahmet Gashi” është në një gjendje mjaftë të rëndë dhe rrezikon jetën e nxënësve.

“Si drejtori e Arsimit ne kemi lëshuar një vendim për dislokimin e nxënësve nga gjimnazi “Ahmet Gashi”, në dy shkolla është fjala për klasën e 10 që do të kaloj në shkollën fillore “Emin Duraku”, kurse klasa e 11 dhe 12-të do të kaloj në gjimnazin “Sami Frashëri”. Gjithë kjo për shkak se është bërë një vlerësim i stabilitetit të ndërtesës dhe kushteve për mbajtjen e mësimit dhe kjo ndërtesë nuk i plotëson kushtet. Domethënë është gjendje emergjente është në pyetje siguria e nxënësve dhe për këtë arsye kemi menduar dhe kemi marr vendim që fëmijët të zhvendosen në dy lokacionet”, tha Shala.

Tutje ajo ka siguruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se në atë hapësirë ku ndodhet aktualisht shkolla, nuk do ketë ndërtim tjetër përveç një shkolle të re e me standarde të larta.

“Nuk ka vendim për ndërtimin e ndonjë qendre tregtare dhe nuk do të bëhet qendër tregtare, tani posa e mora informatën që ajo është e dhe zonë e mbrojtur historike dhe nuk mund të bëhet ndonjë qendër tregtare shumë katëshe derisa ndërtesë mbi dy katëshe nuk mund të ketë. Të gjitha janë spekulime dislokimi i fëmijëve ka ndodhur për shkak të sigurisë”, deklaroi ajo.

Drejtoresha e Arsimit u shpreh se nga takimi që ka zhvilluar me mësimdhënësit dhe prindërit e gjimnazit “Ahmet Gashi” janë dakorduar për nesër t’i informojnë nxënësit për diskonim.

Ferid Fazliu nga drejtoria e Investimeve Kapitale tha se vendimi për mbylljen e gjimnazit “Ahmet Gashi” ka ardhur pas një raporti të një kompanie ndërtimore e cila ka vlerësuar se gjendja e objektit është jo funksionale.

Sipas tij kjo shkollë e cila është ndërtuar në kushtet e viteve të 60’ta tashmë është mjaftë e dëmtuar.

“Objekti nuk është stabil dhe nuk është funksional…Komunikimi horizontal dhe vertikal nuk i plotëson, muret pothuajse janë të kalbura, lagështia nga aspekti i stabilitetit objekti nuk i plotëson as kushtet nga aspekti sizmik sepse objekti është ndërtuar në vitet e 60’ta…Ndikimet e lagështisë në objekt kanë ndikua që objekti me qenë edhe i rrezikshëm me u dëmtua shtyllat, dëmtimi i tranjëve e kemi dëmtimin e mes katit, dëmtimin e mureve në bodrum”, tha Fazliu.

Asamblisti i PSD-së në Prishtinë, Adian Berisha ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po manipulon me qytetarët duke thënë dezinformata rreth mbylljes së shkollës.

“Po flas në cilësinë e asamblistit në Kuvendin Komunal domethënë profili jem është Adrian Berisha për 30 minuta do e shpërndaj një status ku munden me u gjet shumë fakte ….Po po gjithsesi”, tha Berisha.

Ndaj vendimit të Drejtorisë së Arsimit, që ky gjimnaz të transferohet në dy shkolla tjera, sot nxënësit e Gjimnazit të Shkencave Shoqërore “Ahmet Gashi” më Prishtinë, kanë protestuar para Komunës së Prishtinës.