PSD kërkon detajet e marrëveshjes për linjën ajrore Kosovë-Serbi

PSD: Marrëveshja u përcoll me një mungesë shqetësuese të informatave bazë

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) kërkon urgjentisht që marrëveshja e nënshkruar dje për linjën ajrore Kosovë-Serbi të publikohet sa më parë dhe të sqarohen të gjitha detajet.

“Çfarë kanë nënshkruar autoritetet e Aviacionit Civil të Kosovës dje? Asnjë detaj nuk dihet. Krejt çfarë na u tha është hapja e linjës ajrore Prishtinë- Beograd”, thuhet në deklaratën e PSD-së.

Në emër të Kosovës, marrëveshja është nënshkruar nga drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil, përderisa Serbia përfaqësohej nga sekretari i Ministrisë së Ekonomisë. Ndërkaq, kompania që do ta marrë përsipër linjën është “Lufthansa”.

PSD kërkon të sqarohet implikimi politik i përfaqësimit të ndryshëm të palëve që nuk janë homologe, duke pasur parasysh se Kosova në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje përfaqësohej nga Autoriteti i Aviacionit Civil, ndërsa Serbia prej Ministrisë së Ekonomisë, dhe po ashtu të dihet baza juridike e marrëveshjes.

Për më tepër PSD konsideron se marrëveshja e kësaj natyre nuk duhet të nënshkruhet në fshehtësi, andaj me urgjencë kërkon që marrëveshja e nënshkruar të publikohet sa më parë nga autoritetet përkatëse dhe të sqarohen të gjitha detajet lidhur me të.

Back to top button