PSD kërkon që marrëveshjet e fundit me Serbinë të bëhen publike

PSD: Kryeministri Kurti dhe ministri Abdixhiku duhet të përgjigjen

Partia Socialdemokrate sot kërkoi që të dihet përmbajtja e dy marrëveshjeve të fundit të nënshkruara me Serbinë, ajo për për hekurudhat dhe ajo për autostradat. PSD tha se janë bërë 20 ditë prej se janë nënshkruar dy marrëveshje me Serbinë dhe se përveç ceremonisë së nënshkrimit që është parë përmes mediave askush nuk di gjë për to. Sipas PSD-së, qeveria po i privon qytetarët nga e drejta për t’u informuar.

“Marrëveshjet janë nënshkruar më 14 shkurt, pra në kohën e Qeverisë Kurti. Publikimi i tyre shtron natyrshëm pyetjen mbi përmbajtjen e tyre. Qeveria nuk po i publikon marrëveshjet sepse nuk ka guxim të mbajë asnjë qëndrim për to. Por, duke i mbajtur të fshehta ato, ajo po e shkel ligjin. E drejta për qasje në dokumentet publike është një e drejtë e garantuar. Ajo garantohet nga Neni 41 i Kushtetutës dhe nga Ligji NR.06/L-081 Për Qasje në Dokumentet Publike. Censura është praktikë jo demokratike dhe shkelje e ligjit”, thuhet në komunikatën e PSD-së.

Për PSD-në, kryeministri Kurti dhe ministri Abdixhiku duhet të përgjigjen për këtë.

“Kohëve të fundit kryeministrin e kemi parë në rolin e gazetarit hulumtues duke publikuar dokumente të vitit 2013. Por, për t’u bërë kredibil, ai duhet t’i zbardh dhe të na tregojë nëse është dakord me marrëveshjet e nënshkruara para 3 javësh”, përfundoi komunikata e PSD.

Ata kanë parashtruar edhe kërkesë zyrtare te Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit, si dhe ministri Lumir Abdixhiku që sa më shpejtë të bëjë publike të dy marrëveshjet.

Back to top button