Partia Socialdemokrate kërkon që të krijohet Gjykata e Punës

Partia Socialdemokrate kërkon që të krijohet Gjykata e Punës

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Faton Topalli në një konferencë për media tha se kjo duhet të bëhet në mënyrë që punëtorët të fitojnë menjëherë të drejtat e tyre, e jo të pritet me vite të tëra që ata të fitojnë të drejtat e tyre.

Partia Socialdemokrate angazhohet që të krijohet Gjykata e Punës. Sistemi gjyqësor aktualisht vuan nga mos efiçienca, dhe jo profesionalizmi. Janë diku 245 mijë lëndë në Gjykatat e Republikës të Kosovës të mbyllura në sirtar. Prej tyre, janë me mijëra raste që kanë të bëjnë në marrëdhënie me punën apo që shtyhen e zgjaten. Në fakt, sistemi jonë i drejtësisë u mohon atyre të drejtat. Pra, një e drejtë gjatë e mohuar, është një e drejtë e mohuar”, tha Topalli.

Me qëllim të informimit të punëtorëve për të drejtat e tyre dhe kthimin e besimit të tyre te sistemi i drejtësisë, Topalli theksoi se duhet të krijohen mekanizmat e nevojshëm.

Ai tregoi se si do të funksionojë Gjykata e Punës sipas Partisë Socialdemokrate. Siç tha ai, Gjykata e Punës do të jetë brenda kuadrit të secilës Gjykatë Themelore të Republikës të Kosovës, ndërsa në nivelin e apelit do të krijohen kolegjet e veçanta të gjyqtarëve.

Gjykata e Punës, respektivisht Departamenti për marrëdhëniet e Punës, siç është paraparë nga Departamenti i Partisë Socialdemokrate ka për objekt trajtimi, vetëm konfliktet që rrjedhin nga konfliktet e punës, me qëllim të rritjes së efikasitetit të gjykatave dhe të realizimit të drejtave të punëtorëve, të cilët në sistemin aktual janë duke pritur me vite të tëra, pa i realizuar asnjëherë. Ky Departament kërkon gjyqtarë të profesionalizuar vetëm për këtë fushë, siç kërkon gjykimi i marrëdhënies të punës një kuptim tjetër për drejtësinë”, u shpreh ai.

Nga ana e saj, deputetja Besa Baftiu, bëri të ditur se synojnë të krijojë një ligj të punës që do të pamundësojë manipulimet ndaj punëtorëve, teksa paraqiti amendamentet për Ligjin e Punës.

Kemi kërkuar që për shkëputje të marrëdhënies së punës, mes punëdhënësit dhe punëmarrësit, pala që shkëput kontratën, të japë arsyetimet me shkrim, duke i dhënë punëmarrësit t’i shfrytëzojë mundësitë ligjore në rast se i është bërë e padrejtë. Kemi kërkuar që ligji të specifikojë se punëdhënësi nuk mundet të ndërpresë në asnjë rast punësimin e gruas shtatzënë ose gruas gji-dhënëse. Kemi kërkuar zgjatjen e afateve të njoftimit për largimin nga puna si dhe në mungesë të ligjit për sigurimin e papunësisë, e kemi parë me rëndësi zgjatjen e afateve të kompensimeve pas largimit nga puna”, u shpreh ajo./21Media