PSD me peticion online për rritje të pagës minimale

PSD me peticion, “presion” ndaj Qeverisë

Partia Socialdemokrate (PSD), sot ka nisur një peticion online për rritje të pagës minimale në Kosovë.

“Kosova ka pagën minimale më të ulët në rajon. Kjo pagë minimale 135 – 170 euro nuk mjafton as për nevojat bazike ushqimore”, thuhet në këtë peticion të iniciuar nga PSD-ja.

PSD thotë se përmes këtij peticioni do t’i bëhet presion Qeverisë së Kosovës që urgjentisht të rriten pagat minimale për qytetarët e Kosovës.

NE, qytetarët e poshtëshënuar, kërkojmë nga JU z.Kryeministër, që urgjentisht ta rritni këtë pagë”, thuhet tutje peticion.

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, më 15 të këtij muaji, ka kërkuar urgjentisht të ngriten pagat minimale në vend, gjë e cila nuk ka ndodhur prej vitit 2011, ndërkohë që në sektorin publik gjatë kësaj periudhe ka pasur tri herë ngritje pagash.

Me kërkesë të ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skendër Reçica, paga minimale më 18 prill u diskutua në mbledhjen e Qeverisë. Këtë propozim të ministrit Reçica e kundërshtuan ministrat tjerë, pasi që konsideruan se për pagën minimale duhet kohë dhe analizë e plotë.

Ndërsa kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj kishte thënë se në nivelin publik çështja e pagave është rregulluar, megjithatë mbetet problem çështja në nivelin privat, e që sipas tij, duhet të gjendet një formulë. Siç tha Haradinaj, rritja e pagës minimale do të ndodhë, por do të diskutohet./21Media

Back to top button