PSD: Një shtet sovran duhet të kompletojë edhe njohjen e jashtme

PSD uron 11 vjetorin e shtetësisë

Partia Socialdemokrate ka uruar të gjithë qytetarët me rastin e përvjetorit të  11 të pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se një shtet sovran përveç shpalljes së brendshme duhet ta ketë të kompletuar edhe njohjen e jashtme.

Sipas PSD-së, 11 vjetori i Pavarësisë na gjen pranë një tjetër sfide të rëndësishme, përmbylljen e procesit ‘të gjatë e shpeshherë të pakuptimtë dhe të dëmshëm të procesit të dialogut me Serbinë’.

“Është e domosdoshme që ky proces të përmbyllet me njohje nga Serbia, në mënyrë që të hapet rrugë e të sigurohet njohja nga vendet e tjera, me anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe themelimin e marrëdhënies së plotë kontraktuale të Kosovës me BE-në”, është theksuar në komunikatën për media të PSD-së.

Sipas Partisë Socialdemokrate, ekonomia jonë duhet zhvilluar për të krijuar vende cilësore, me kualifikim e qëndrueshmëri në punë, zhvillim të barabartë rajonal, arsim e shëndetësi funksionale, por edhe qëndrueshmëri mjedisore.

“Një shoqëri më e zhvilluar e më e arsimuar do të jetë ajo në të cilën nuk do të shohim e përjetojmë tutje shtypjen e dhunën ndaj grave, shfrytëzimin e punëtorëve, nëpërkëmbjen e të varfërve, hendekun e madh në pasuri dhe në të drejta”, është bërë e ditur ndër të tjera në komunikatën e PSD-së.

Kosova është shpallur shtet i pavarur më 17 shkurt 2008 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjatë një seance solemne, ku deklaratën e pavarësisë e ka lexuar ish-kryeministri, Hashim Thaçi. Deklarata e Pavarësisë është miratua nga 109 deputetë të Kuvendit të Republikës, ku kanë munguar vetëm deputetët e komunitet serb.

Back to top button