PSD: Paga minimale po i lë punëtorët në pragun e varfërisë

Sipas Ymerit, paga minimale nuk i mbulon as për së afërmi kushtet për jetë

Partia Socialdemokrate ka organizuar tryezë për të diskutuar mbi pagën minimale në Kosovë, me ç’rast u theksua se në Kosovë, është më e ulëta në rajon dhe se të gjithë ata që paguhen në pagën minimale janë harruar nga shteti dhe shoqëria.

Rritja e pagës minimale sipas kësaj partie do të ndikonte edhe në rritjen e ekonomisë, pasi do të rriste konsumin.

Nënkryetari i PSD-së, njëherësh deputeti i kësaj partie, Visar Ymeri tha se paga minimale nuk i mbulon as për së afërmi kushtet për jetë dhe se kjo pagë po i lë punëtorët në pragun e varfërisë.

“Përcaktimi i pagës minimale duhet të burojë nga një proces gjithëpërfshirës demokratik në mes të partnerëve shoqëror”, tha ai.

Ndërsa, deputetja e PSD-së, Besa Baftiu foli më shumë se strukturën e të punësuarve në Kosovë.

Sipas saj, kjo është në shpërputhje të plotë me bilancin gjinor sa i për ketë bazës materiale.

Baftiu, tha se 80, 7 përqind e grave në Kosovë nuk kërkojnë pune fare për shkak të gjasave të vogla për t’u punësuar.

“Gratë e punësuara në sektorin privat kryesisht gjenden në dyqane të ndryshme ushqimore, butiqe, farmaci, rrobaqepësi, ku paga minimale është shumë e ulët, e shumë shpesh gratë punojnë pa kontrata”, tha ajo.

Kurse, ligjëruesi universitar, Artan Mustafa tha se për të pasur një pagë minimale të duhur, duhet të përcaktohet, siç tha ai shkalla e pagës minimale, bazuar në të ardhurat e disponueshme të familjeve.

“Ne kemi rritje të GDP-së, bashkë me rritje të pabarazisë, rritja dhe barazia me të ardhura duhet të shkojnë paralelisht njëra me tjetrën”, ka thënë ai.

Ndërsa, sipas tij, rritja e kohës së fundit është rritje e cilësisë së dobët.

Back to top button