PSD thërret protestë më 6 korrik kundër ministrit Murati

Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD), ka kërkuar dorëheqjen e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati për shkak të deklarimeve të tij për veteranët e UÇK-së.
Kjo parti do të mbajë një protestë më 6 korrik në orën 19:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” me kërkesën për shkarkimin e Muratit.
Në një konferencë për media, kryetari i PSD-së Dardan Molliqaj theksoi se kanë parë disa deklarata për të sulmuar dhe denigruar përpjekjen e një populli për çlirimi.
“Pasi që ministri Murati nuk po flet lidhur me deklaratat e tij të dikurshme, është e qartë që për atë që e ka thënë atëherë, vazhdon të ketë mendim të njëjtë, ose po fshihet”, tha ai.
Sipas tij, Qeveria jo vetëm që nuk po reagon, por edhe po e ushqen një qasje kundër UÇK-së.
Ndërsa, Natyra Kuqi nga ky subjekt tha se ministri Murati nuk mund të jetë ministër i Kosovës që është çliruar nga UÇK-ja.
Ndaj ministrit Murati, sot ka reaguar edhe partia më e madhe opozitare, PDK-ja, e cila ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti largimin e ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve./21Media

Back to top button