Sipas Gashit policët duhej të dekoroheshin dhe jo të pezulloheshin

Sipas Gashit policët duhej të dekoroheshin dhe jo të pezulloheshin

Avokati Tomë Gashi ka tregua arsyen se pse zyrtarët policorë të Stacionit të Gjakovës, komandanti Kristë Gjokaj, eprorët Gëzim Biblekaj, Bekim Preqi dhe oficerët Agron Idrizi, Milot Ukaj dhe Shaban Limani janë suspenduar me rekomandimin e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi kanë ushtruar dhunë ndaj një plaçkitësi të armatosur i cili është kapur në flagrancë dhe pas shkëmbimit të zjarrit mes tij dhe policëve.

Vendimin për suspendim, Gashi e ka quajtur të ngutshëm pasi nuk ka pasur hetime në suaza normale dhe nuk është konfirmuar asnjë argument.

“Ata u suspenduan me një arsyetim të pa vërtetuar, se kinse para një viti gjatë shkëmbimit të zjarrit me grabitës që donin t’i grabisnin me armë zjarri qytetarët e Gjakovës në mesnatë e zunë njërin dhe e rrahën pak si më shumë! Dhe sikur plaçkitja nuk ju mjaftonte krimineleve të natës në Gjakovë, ata donin edhe të vrisnin këta policë, heronj të luftimit të krimit. Këta oficerë të cilët në ndjekje të tyre përmes plumbave të kallashnikovëve të tyre dhe duke ju përgjigjur zjarrit me zjarr, arritën ta zënë mjerisht të gjallë njërin prej këtyre krimineleve vrasës”, ka shkruar Gashi. Gashi.

Sipas tij, policët duhej të dekoroheshin me medalje për trimëri dhe jo të pezulloheshin.

“Dhe ja epilogu pas një viti, kriminelët në liri dhe komandant Kristë Gjokaj me 5 oficerë të tij në vend që të dekorohet me medalje për trimëri, ata suspendohen me një veprim të ngutshëm të Drejtorit të Policisë së Kosovës se kinse paska rrahur një plaçkitës që donte edhe të plaçkiste me armë dhe të mos i pengonte policia jonë! Bile ata donin edhe t’i vrisnin policët që hynë në luftë me ta. Kjo ndodhi pas një sugjerimi të pa argumentuar të IPK! Si suspendohen heronjtë e policisë tonë kur ata na mbrojnë nga plaçkitësit vrastar, të cilët edhe vet po vriten nga qytetarë te thjeshtë në mbrojtje të shtëpive dhe jetëve të tyre”, ka thënë tutje avokati Gashi./21Media