Protestojnë psikologët

Protestojnë psikologët

Disa psikologë të specializuar kanë protestuar sot para administratës së Shërbimit Spitalor Universitar të Kosovës për shkak se pretendojnë se në Klinikën e Psikiatrisë janë pranuar dy persona që nuk i plotësojnë kushtet në pozitën e psikiatrit.

Sipas tyre, ky konkurs është bërë gjatë kohës së fushatës.

Visar Sadiku, përfaqësues i protestuesve tha se nuk do të lejojnë që në këtë konkurs të punësohen persona, të cilët nuk janë kompetentë për atë pozitë.

Kanë kaluar shumë kohë në të cilat ne jemi premtuar në vazhdimësi që do të punësohemi, dhe tanimë ka ardhur fundi dhe ne nuk do të tolerojmë në asnjë mënyrë qe të punësohen persona, të cilët nuk janë kompetent për këto pozita”, tha Sadiku.

Psikologët protestues thanë se në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre ata do të vazhdojnë me protesta derisa ato të plotësohen, sepse sipas tyre, vetëm ata që janë të specializuar në Psikologjinë Klinike e meritojnë të jenë në ato pozita.

Kemi qendra të mjekësisë familjare, kemi SHSUK -në të cilat roli i psikologut gjithmonë shkon e venitet, e kjo si pasojë që SHSUK dhe bordi i saj nuk e shohin si të arsyeshme involvimin e psikologut në këto qendra. Ne do të mundohemi që ta ngrisim zërin tonë dhe t’i mbështesim pozitat tona”, tha Sadiku.

Për gjithë këto që kanë ndodhur, psikologët protestues kanë deklaruar se kanë bërë ankesa por deri më tani nuk ka pasur asnjë rezultat.