Është në mesin e 10 letrave më të njohura të tij

Është në mesin e 10 letrave më të njohura të tij

Historiani Jahja Drancolli publikoi një letër të rrallë autografe të Skënderbeut dërguar Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali. Sipas Drancollit, kjo letër e shkruar 568 vjet më parë (8 gusht 1451), është e njohur në mesin e 10 letrave autografe nga vetë dora e Skënderbeut, që ruhen në arkiva të njohura të botës.

“Letra autografe në fjalë është e njohur për njërën ndër 10 letra autografe (të nënshkruara) nga vetë dora e Skënderbeut, që ruhën në arkiva të njohura të botës (Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris, Dubrovnik, Zagreb dhe Beograd). Kjo letër autografe e shkruar sipas shkrimit humanistik të kohës në latinisht dhe italisht, është një fragment i shkurtër i shkëputur nga një histori madhore.”, shkroi ai ndër tjerash në Facebook.

Po ashtu, Drancolli njoftoi se kjo letër autografe e Skënderbeut, Bujarisë së Republikës së Sienës u kishte ra në duar më 13 shtator 1451.

“Ky dokument i çmueshëm i dërguar nga Lazri, abat i Arbrit, është shkruar në një kartë të rëndomtë bombagine të kohës, dhe siç shihet nga faksimili, në të dy anët e fletës (folio) ruhën shënjat e vulës (sigillum) të Skënderbeut, që mban datën, 8 gusht 1451, ndërsa Bujarisë së Republikës së Sienës u kishte ra në duar më 13 shtator 1451…!
Burimi: Archivio di Stato di Siena.”, përfundoi postimin Drancolli.

Skënderbeu vdiq më 17 janar 1468./21Media