Lideri katalanas tha se për qëllim ka dhënien e kontributit

Lideri katalanas tha se për qëllim ka dhënien e kontributit

Lideri katalanas, Carles Puigdemont kërkoi sot kthimin në Spanjë, por pa rrezikuar burgun, për të mbrojtur kandidaturën e tij në presidencën e Katalonisë, pavarësisht premtimit të Madridit për arrestimin e tij.

“Qëllimi im është dhënia e kontributit në vendosjen e demokracisë, në mënyrë që rezultati i zgjedhjeve katalanase të njihet zyrtarisht. Sinjali më i mirë në këtë drejtim do të ishte hyrja ime pa asnjë rrezik, për të marrë pjesë në debatin parlamentar që do të paraprijë votimin”, deklaroi Puigdemont, i cili po qëndron në Bruksel prej fundit të tetorit dhe ndodhet aktualisht në një vizitë në Danimarkë.

Sot, partia e tij tërhoqi kërkesën për delegimin e votës së tij një parlamentari tjetër katalanas, bëhet e ditur nga një burim parlamentar.

Pas ankesës së bërë një ditë më parë në atë që ai e quan “autoritarizëm” i qeverisë spanjolle, Puigdemont i ftoi të gjithë për të dhënë kontributin e tyre për të mundësuar kthimin drejt normalitetit në Kataloni, e rrënuar sipas tij prej vënies së rajonit nën kujdestarinë e Madridit prej 27 tetorit, në përpjekje e sipër për shkëputje të njëanshme.