Punëtorët e shtetit sot në protestë, nuk mbahet as mësim

Të punësuarit në të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës në nivel vendi, nën ombrellën e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), do të protestojnë sot në kërkim të realizimit të disa kërkesave të tyre.
Kërkesat e tyre janë vazhdimi i pagesës prej 100 eurosh për çdo muaj deri sa të fillojë zbatimi i Ligjit të Pagave në të cilin ligj kërkohet të merren parasysh propozimet e Federatave Sindikale anëtare të BSPK-së; Fillimi i zbatimit të Ligji për Sigurimin Shëndetësor dhe; Plotësim-ndryshimi i Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.
Duke qenë se pjesë e BSPK-së është edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBASHK), dhe do të jetë pjesë e protestës, mësimi në të gjithë vendin nga arsimi fillor deri në universitete nuk do të mbahet. Kjo pasi, sipas SBASHK-ut, të gjithë mësimdhënësit do të nisen drejt Prishtinës në mënyrë të organizuar.
Çerdhet do të jenë të vetmet institucione edukativo-arsimore të cilave nuk do t’ju ndërpritet puna.
Ministria e Arsimit ka paralajmëruar të gjithë mësimdhënësit se çdo orë e humbur mësimore do të zëvendësohet, por SBASHK-u ka thënë se asnjë orë nuk do të kompensohet dhe për dëmin e shkaktuar nxënësve përgjegjëse është ekzekutivi.
Protestuesit do të grumbullohen në sheshin “Zahir Pajaziti” në ora 13:00. Masa për në vendgrumbullim do të lëvizë rrugës “Garibaldi” prej Bankës Qendrore në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti” dhe prej Katedrales Shën Nënë Tereza nëpër rrugën “Xhorxh Bush” në drejtim të sheshit “Zahir Pajaziti”.
Në ora 13:30 nis ecja nga vendgrumbullimi prej sheshit “Zahir Pajaziti” nëpër sheshin “Nëna Terezë” për tu ndalur në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Për dy orë, nga ora 14:00 deri në ora 16:00 janë paraparë fjalime para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Më 12 maj është mbajtur grevë njëorëshe paralajmëruese por Qeveria e Kosovës nuk bëri asnjë lëvizje për të ndryshuar mendjen e sindikalistëve dhe kështu protesta është një tjetër veprim për kërkesat e tyre. Veprime të tjera sindikale janë paralajmëruar nëse Qeveria nuk fton të dialogojë përfaqësuesit e BSPK-së.

Back to top button