Punëtorët e sigurimit në Universitetin e Prishtinës protestuan sot

Punëtorët e sigurimit në Universitetin e Prishtinës protestuan sot

Dhjetëra punëtorë të sigurimit të fakulteteve të Universitetit të Prishtinës kanë protestuar para Rektoratit të UP-së duke kërkuar pagesën e stazhit të punës apo 0.5 përqindëshin.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi së bashku me një përfaqësues të punëtorëve janë takuar me sekretarin e Rektoratit të UP-së, Esat Kelmendi.
Azemi bëri të ditur se në këtë takim sindikata ka ofruar argumentet se duhet të paguhet 0.5 përqindëshi, dhe sipas tij ata së bashku me Rektoratin do të bëjnë presion tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe tek kryeministri që këto mjete të dalin sa më shpejt në llogaritë e punëtorëve.

Sipas Azemit, për një periudhë të shkurtë do t’ia dalin dhe do të respektohet ligji dhe marrëveshja kolektive siç është e paraparë derisa premtoi se mjetet do të kalojnë në llogaritë e punëtorëve.
“Çdo kontratë e lidhur në mes të një institucioni në çdo kontratë shkruan krahas të gjithave se duhet të respektohet ligji dhe Marrëveshja Kolektive me vetë atë fakt e nënkupton se kjo punë është çështje e kryer por megjithatë ne po bëjmë rrugëtimin tonë prapë sepse përndryshe nëse ne jemi të gatshëm sot këtë lëndë ta procedojmë në gjyq është diçka që nuk kemi nevojë të hezitojmë se ka kemi apo nuk kemi të drejtë..Shpresoj që javën e ardhshme do të kem një takim me kryeministrin dhe do ta përshpejtojmë këtë procedurë”, tha ai.

Ndërkaq, Bedri Elshani, punëtor teknik në Fakultetin e Kimisë tha se ata nuk kanë kurrfarë të drejte dhe se sot po kërkojnë edhe paga më të mëdha ashtu siç e parasheh edhe ligji.
Elshani për kp ka shfaqur shqetësimin edhe për vonesën e pagave, duke thënë se nuk i marrin me kohë.
“Ku farë të drejtash nuk kem, sikur mos me kanë në këtë shtet….paga më të mëdha me ligj që na takojnë…kajher po kajher jo”, tha ai.

Ndërsa, Milazim Hoxha punëtor teknik në fakultetin e bujqësisë tha se sot kanë dalë për të protestuar për pagat, ndërsa tha se kërkesa i adresohet rektoratit sepse aty bëhet edhe shpërndarja e buxhetit.

“Kemi dal për këtë protestë sot që pagat e tona për kushtet e tona për çdo gjë që na mungon…Unë jam qe 8 vite dhe ne jemi nëpër kompani private do të thotë kompanitë ndërrohen çdo dy tri vjet kështu na prapë mbesim mbrapa si me paga, nuk na paguhet asgjë, as ndërrimi i natës nuk na paguhet, as ndërrim i festës nuk na paguhet, as ndërrim i udhëtimit, as ndërrim i shujtës…Sot kemi dal pra bashkë me kryetarin e sindikatës…Prej rektoratit po kërkojmë sepse është çelësi që fillon që e shpërndan buxhetin”, tha ai.

Ndryshe në protestën e sotme e cila ka qenë e qetë kanë marrë pjesë vetëm një pjesë e punëtorëve të sigurimit pasi që pjesa tjetër ka vazhduar punën e tyre.
Por nga Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi u paralajmërua se nëse nuk dalin mjetet për këta punëtorë ata do të vazhdojnë edhe me grevë.
Në fakultetet e Universitetit të Prishtinës” Hasan Prishtina” punojnë gjithsej 100 punëtorë të sigurimit nga një kompani private.