Punëtorët shëndetësorë mbajtën protestë paralajmëruese

Ata protestuan një orë duke kërkuar rritje të pagave

Punëtorët shëndetësorë sot kanë mbajtur një protestë paralajmëruese para të gjitha institucioneve shëndetësore. Kërkesat e punëtorëve shëndetësorë ishin rritje të pagave, ligj të dinjitetshëm dhe punësim të kuadrit të ri.

Punëtorët shëndetësorë potencuan se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh do të mbajnë një protestë një ditore, e nëse as atëherë nuk ndërmerret asgjë do të shkojnë në grevë të përgjithshme.

Kjo protestë paralajmëruese ka filluar prej orës 08:00, deri në ora 09:00, ku u shpalosën kërkesat e punëtorëve shëndetësorë.

Sherif Makolli, kryetar i sindikatës të QKMF, tha pakënaqësia dhe gjendja e mjerueshme e punëtorëve shëndetësorë i ka bërë që të dalin për të protestuar. Sipas tij, kjo protestë ka qenë paralajmëruese, por që nëse nuk reagohet punëtorët shëndetësorë do të mbajnë një grevë një ditore.

Ndërsa, Hadije Osmani, infermiere në QKMF, tha se edhe një vit do të dal në pension dhe me këtë pagë nuk arrin as të blejë barnat për vete.

Kërkesat e FSSHK-së kanë qenë që Projektligji mbi Pagat të hidhet poshtë në tërësi, rritja e pagave në përqindjen prej 15 përqind, të bëhet formimi i komisionit për rrezikshmëri në vendin e punës, të formohen grupet punuese për statutet e QKMF-ve në nivel vendi dhe të caktohet zyrtari përgjegjës për QKMF-të në Ministrinë e Shëndetësisë.

Po ashtu, kërkesë ka qenë edhe ulja e përqindjes për sigurime shëndetësore, ku nga 7 të ulet në 4 përqind, procesi i ri-licensimi të shtyhet deri në fund të vitit dhe kërkese e FSSHK-së ishte edhe definimi i kompetencave për furnizim me barna dhe material harxhues si dhe të bëhet plotësim ndryshimi për AKPM-në./21Media

Back to top button