Punëtorët teknikë kërkuan të zbatohet ligji për komunën e Prishtinës

Azemi tha se privatizimi është bërë në mënyrë jo të ligjshme

Para Komunës së Prishtinës sot protestuan dhe pastaj u shpërndanë të qetë punëtorët teknikë të disa shkollave të kryeqytetit.

Përmes kësaj proteste ata kërkojnë që të zbatohet ligji për komunën e Prishtinës, përmes së cilit këta punëtorë teknikë kalojnë nën menaxhim të komunës. Kërkesë tjetër është edhe pagesa e katër përqindëshit që ishte premtuar nga janari i vitit të kaluar.

Kryetar i sindikatës së sektorit privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se privatizimi është bërë në mënyrë jo të ligjshme. Azemi me disa përfaqësues të punëtorëve teknikë u takua me nënkryetarin, Muhedin Nushi.

Ata dolën me arsyetimin se punëtorët duan garanci nga vetë kryetari i komunës Shpend Ahmeti e jo nga nënkryetarët.

Protesta vjen pas takimit me punëtorët teknikë  të shkollave “ Ismail Qemaili”, “Pjetër Bogdani”, “Eqrem Çabej”, “Naim Frashëri”, “Asim Vokshi”, “Hoxhë Kadri Prishtina”,   “Gjergj Fishta”, “Dardania”, si dhe punëtorët e sigurimit në QMF dhe punëtorët e pastrimit në QMF  të komunës së Prishtinës, ku temë diskutimi ishte mos pagesa e  4 % rritja e pagave në sektorin publik nga 1 janari 2018 dhe neglizhenca e komunës për kthimin e këtyre punëtorëve nën menaxhimin e komunës sipas ligjit për kryeqytetin, i cili është aprovuar vitin e kaluar.

Back to top button