Lekaj i bindur se nuk do të kenë asnjë pengesë sa i përket marrëveshjes, duke shtuar se është e pavend që të përzihet politika e Beogradit

Lekaj i bindur se nuk do të kenë asnjë pengesë sa i përket marrëveshjes, duke shtuar se është e pavend që të përzihet politika e Beogradit

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka folur për rrugën Deçan-Plavë në të cilën së fundi u ndërprenë punimet për shkak të ankesës së Kishës Ortodokse Serbe, kërkesë e cila u përkrahë edhe nga ndërkombëtarët.

Lekaj ka thënë se këto punime janë duke u zhvilluar jashtë zonës së mbrojtjes, rreth Manastirit të Deçanit, duke shtuar se nuk do të lejojnë që të cenohet asnjë institucion, ashtu siç nuk do të lejojnë që të ketë përparësi një institucion tjetër.

Kisha Ortodokse Serbe ka kërkuar ndërprerjen e punimeve, me arsyetimin se “Qeveria e Kosovës ilegalisht ka nisur ndërtimin e rrugëve në rrugën transitore Deçan-Plavë brenda zonës speciale të mbrojtur përreth Manastirit të Deçanit”.

Ai u shpreh i bindur se nuk do të kenë asnjë pengesë sa i përket marrëveshjes, duke shtuar se është e pavend që politika e Beogradit të përzihet këtu.

Ministri Lekaj gjithashtu ka thënë se ka marrë garancion nga ministri i Transportit dhe Çështjeve Detare të Malit të Zi, Osman Nurkoviq se ky shtet do t’i kryejë përgjegjësitë që ka në rrugën Deçan-Plavë.

“Ajo që unë e falënderoj ministrin, që mora garancion që edhe rruga Deçan-Plavë, sa i përket përgjegjësive që i ka Mali i Zi, do ta zhvillojnë, ne kemi filluar një projekt që është duke u zhvilluar, që punët janë duke u kryer sipas dinamikës dhe shpresoj që do ta kryejmë në afatin më të shkurt të mundshëm sipas kontratës”, tha Lekaj.

Ndërkohë, sot kryeministri Haradinaj ka ftuar diplomatët të shkojnë në vend të ngjarjes të shohin situatën dhe siç është shprehur të binden se rruga që po renovohet ka ekzistuar edhe më parë, për t’iu shmangur kështu deklarimeve të ngutshme.