Grubi dhe Milloshovski konfirmojnë përafrimin e qëndrimeve

Grubi dhe Milloshovski konfirmojnë përafrimin e qëndrimeve

Pushteti dhe opozita në Maqedoninë e Veriut ende kanë dallime për ligjin për prokurorinë. Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane Artan Grubi thotë se janë shumë afër arritjes së një kompromisi, ndërsa kanë mbetur edhe disa çështje për t’u zgjidhur.

“Dy-tre pikat mbi të cilat kanë dallim dy partitë kryesore politike maqedonase kanë të bëjnë me fatin e Prokurorisë Speciale, të punësuarve atje si dhe me rastet që janë ngritur pas 30 qershor 2017. Për tjerat çështje vlerësoj se mund të arrihet një kompromis dhe konsensus mes partive”, deklaroi Artan Grubi, deputet i BDI-së.

Arsyeja se pse debati pushtet-opozitë nuk po zhvillohet në Komision, është rreziku nga skadimi i afatit 2 ditor për debat. Andaj palët po diskutojnë jashtë Komisionit, për t’u rikthyer aty me qëndrime të harmonizuara. Deputeti dhe përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski konfirmon se krahas përafrimeve, ende ka dallime.

“Në disa fusha ka përafrim të konceptit për strukturën e Prokurorisë së re Publike. Dallime ende ka, arritja deri te një tekst i përbashkët nuk është sfidë e lehtë, por nuk është as i pamundur”, u shpreh Antonio Milloshovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Arsyet se pse duhet gjetur zgjidhje në këto dy javë të para, sipas deputeti Grubi është skadimi i mandatit të Janevës më 15 shtator por edhe paraqitja e Maqedonisë me rezultate konkrete para Këshillit të BE-së. Kolegia e tij, deputetja e Partisë së Re Socialdemokrate Sonja Mirakovska pret që deri në gjysmë të këtij muaji të jetë gjetur kompromisi për ligjin.

“Unë jam njeri pozitiv dhe shpresoj se më datë 15 do ta kemi këtë ligj, nuk do të kërkojmë variant tjetër”, tha Sonja Mirakovska, deputete e PRSD.

TV21 jozyrtarisht mëson se grupet e punës pushtet-opozitë mund të takohen sonte, por një informacion të tillë nuk e konfirmojnë nga Kabineti i ministres së Drejtësisë Renata Deskoska e cila përfaqëson pushtetin në dialog. Për projektligjin për Prokurorinë janë dorëzuar gjithsej 51 amendamente, 10 nga të cilat u miratuan të enjten në ditën e parë të debatit në Komisionin për çështje evropiane./21Media