Putin: Maqedonia me forcë shtyhet në NATO

Qeveria: Aleanca është qëllim strategjik, jo presion

Në periudhë kohore prej më shumë se katër vjetëve, presidenti rus, Vlladimir Putin, për herë të dytë do ta vizitojë Serbinë. Edhe pse sipas paralajmërimeve bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak do të jenë në fokus të takimit me kolegun e tij, Aleksandër Vuçiq, megjithatë vizita e Putinit në Beograd, interpretohet edhe si përpjekje e Rusisë për të përforcuar pozitën dhe ndikimin e saj në këto hapësira. Në favor të kësaj janë edhe deklaratat e fundit të presidentit të federatës ruse, por edhe të ministrit rus për punë të jashtme, Sergej Llavrov. Para vizitës së tij në Beograd, që do të ndodh nesër, në intervistë për “Veçernje Novosti”, Putin ka thënë se ndikimi i SHBA-ve dhe vendeve perëndimore në Ballkan, vazhdimisht po rritet dhe se Maqedonia me forcë po shtyhet drejt NATO Aleancës.

“Vitin e kaluar, për shkak të anëtarësimit të sforcuar të Republikës së Maqedonisë në NATO, u ngrit proces për sjelljen e amendamenteve kushtetuese, ndryshimin e emrit të shtetit dhe revizion të identitetit kombëtar maqedonas. U injorua vullneti i votuesve maqedonas në referendumin për ndryshimin e emrit të shtetit, i cili  dështoi, megjithatë presioni nga jashtë vazhdoi. Duke pasur parasysh se sa është e komplikuar historia e Ballkanit, Rusia gjithmonë e ka konsideruar si hapësirë për bashkëpunim konstruktiv”, ka thënë Vlladimir Putin, President i Rusisë, intervistë për “VEÇERNJE NOVOSTI”.

Nga ana tjetër, ministri rus për punë të jashtme, Sergej Llavrov, në takim me gazetarët, deklaroi se Rusia nuk është kundër emrit të ri të Maqedonisë. Megjithatë shtoi se legjitimiteti i gjithë procesit është nën pikëpyetje, nëse kjo është bërë nën presion të vendeve të perëndimit, me qëllim që i gjithë Ballkani sa më shpejt të bëhet pjesë e NATO-së.

“Kur emri u miratua edhe në dokument, i cili nuk është i nënshkruar në mënyrë siç parashikon Kushtetuta, parashtrohet pyetja se sa është legjitim i gjithë ky proces”, u shpreh Sergej Llavrov, MPJ të Rusisë.

Por, nga Qeveria kategorikisht i mohojnë të gjithë këto akuza të Presidentit dhe Ministrit rus.

“Edhe nga Ambasada e SHBA-ve në Shkup, në të kaluarën i kanë mohuar akuzat e tilla. Thonë se e mbështesin rrugën euroatlantike të Maqedonisë, por se nuk përzihen në punët e brendshme. Një gjë të ngjashme deklaroi edhe sekretari i përgjithshëm i mbrojtjes, Xhejms Matiz, kur në shtator ishte në vizitë zyrtare në Shkup, duke shtuar se Rusia është ajo që mundohet të rris ndikimin e saj në këto territore.

Në reagimin e mbrëmshëm të MPJ së Maqedonisë, thuhej se përsëri në kontekst negativ po apostrofohen procese autentike politike të dy vende fqinje, që çojnë drejtë zgjidhjes së problemeve, përforcimit të besimit dhe ndërtimit të miqësisë. Me reagim të ngjashëm doli edhe MPJ greke, prej ku thonë se Marrëveshja e Prespës është model i pranueshëm ndërkombëtarisht i cili sjell paqe dhe stabilitet, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Kjo nuk është hera e parë që Rusia pohon një gjë të tillë. Gjithçka filloi kur Maqedonia fitoi mbështetje të hapur nga NATO, por edhe nga vendet anëtare të BE-së, për zgjidhjen e kontestit shumëvjeçar me Greqinë. Por, qëllimet strategjike për anëtarësim në BE dhe NATO, nuk datojnë nga tani, por nga fillimi i pavarësisë”, tha Muamet Hoxha, Zëdhënës i Qeverisë së Maqedonisë./21Media

 

Back to top button