Garë armësh Rusi -SHBA

Garë armësh Rusi -SHBA

Duke folur në një forum ekonomik në Lindjen e Largët, presidenti rus Vladimir Putin tha se Moska i ka kërkuar Washingtonit të de-eskalojë garën e armëve midis ish-armiqve të Luftës së Ftohtë, por se Washingtoni nuk i është përgjigjur një kërkese të tillë.

Ai tha se edhe Rusia do të prodhoj raketa të ndaluara nën marrëveshjen bërthamore të epokës së Luftës së Ftohtë, por se nuk do të pozicionoj ato me kusht që as SHBA-ja të mos e bëjë një gjë të tillë, shkruan rtv21.tv

Presidenti rus tha se është i shqetësuar për vendosjen eventuale të raketave amerikane në Japoni dhe Korenë e Jugut, pasi sipas tij, kjo do të përbënte një kërcënim për pjesën më të madhe të territorit të Rusisë.

Nëse raketat amerikane vendosen në Japoni ose Korenë e Jugut, ne e kuptojmë se kjo do të bëhet për të balancuar kërcënimet e mundshme nga Koreja e Veriut, por kjo do të krijojë disa probleme të konsiderueshme për ne”, tha Putin.

Ai tha se ato sisteme raketash ka të ngjarë të arrijnë caqe në një pjesë të konsiderueshme të territorit të Rusisë, përfshirë Lindjen e Largët.

Putin tha poashtu  se druan se një garë armësh mund të përhapet në hapësirë dhe se Washingtoni mund të zhvillojë një armë të re hapësinore.

Washingtoni muajin e kaluar u tërhoq nga Marrëveshja për shkatërrimin e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër, duke akuzuar Rusinë për shkeljen e marrëveshjes, akuzë kjo të cilën kjo e fundit e mohon./21Media