Gjoba ka të bëjë me tri ankesa

Gjoba ka të bëjë me tri ankesa

Pas ankesave të BIRN dhe Internews Kosova, Paneli për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka dënuar me 11 mijë e 100 euro gjobë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Gjoba ka të bëjë me tri ankesa që organizatat kanë bërë në datat 25 dhe 26 shtator.

Gjoba e parë prej 2 mijë e 600 euro ka të bëjë pas ankesës se kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani,  në tubimin qendror të hapjes së fushatës, është parë bashkë me dy vajzat e saj, ku të dyja vajzat e Osmanit kishin të vendosur materiale zgjedhore në veshjet e tyre. Kjo sipas ankesës është në kundërshtim me Rregullën Zgjedhore Nr. 13/2013 për ‘Fushatën e Zgjedhjeve dhe Njoftimin për Ngjarjet Politike’.

Në përgjigjen e LDK-së për ankesën thuhet se edhe ish-presidenti i ShBA-ve, Barack Obama, e kishte bërë të njëjtën gjë në hapjen e fushatës në vitet 2008 dhe 2012.

Kurse si arsye tjetër, LDK-ja ka thënë se vajzat e kandidates janë pjesë e familjes së saj, që nënkupton se Vjosa Osmani para masës dhe elektoratit ka prezantuar me bashkëshortin dhe vajzat e saj, e që fëmijët nuk kanë qenë të përdorur për fushatë, pasi kanë qenë të shoqëruar nga prindërit e tyre.

Gjoba e dytë e PZAP për LDK-në prej 6 mijë eurove ka të bëjë me vendosjen e një posteri të madh të kandidates Vjosa Osmani afër oborrit të shkollës fillore ‘Mihal Grameno’ në Fushë-Kosovë, poster i cili ishte parë më 26 shtator. Kjo sipas ankesës, është në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të Kosovës.

Ndërsa LDK-ja si përgjigje për këtë ankesë ka thënë se në rrethanat në të cilat është duke u zhvilluar fushata, komunat nuk kanë arritur ashtu siç kërkohet të krijojnë hapësira të veçanta për vendosjen e materialeve zgjedhore.

Kurse gjoba e tretë e PZAP për Lidhjen Demokratike prej 2 mijë e 500 euro, ka të bëjë me kandidatin për deputet nga kjo parti, Ilir Ferati, i cili në një postim në rrjetin social ‘Facebook’ ka publikuar një fotografi nga një tubim i fushatës zgjedhore, ku shihet kryetari i partisë, Isa Mustafa, duke bërë fushatë me disa fëmijë me logo të LDK-së. Kjo sipas ankesës, është në kundërshtim me Kodin e Mirësjelljes.

Në përgjigjen e LDK-së për ankesën, thuhet se fëmijët e parë në fotografi janë anëtarë të familjes Mustafa, përkatësisht nipa dhe mbesa të Isa Mustafës, ndërsa LDK-ja nuk ka ofruar asnjë provë që e fakton këtë pretendim./kallxo