Desku: PZAP nuk i komenton deklaratat politike

Desku: PZAP nuk i komenton deklaratat politike

Kryesuesi i Sekretarit të PZAP-it, Mulë Desku, ka deklaruar se nuk i komentojnë deklaratat politike, por megjithatë ai ka thënë se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Supreme.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme i ka dorëzuar dy ankesa në Gjykatën Supreme kundër rinumërimit të votave për Prishtinën dhe Prizrenin, për të cilat ankesa gjykata ka vendosur në favor të LVV-së, e lidhur me këtë Desku ka thënë se PZAP do të respektojë çdo vendim.

Ai është shprehur se do t’i binden çdo vendim që merr Gjykata Supreme.

“PZAP-ja nuk komenton deklarata politike të zyrtarëve të të cilido subjekt, zyrtarët politik kanë të drejtë të japin deklarata, prononcime, deklarime, mospajtime kallëzime mirëpo të gjitha duhet të jenë në vijë institucionale. Ne si institucion flasim me vendime do me thënë deklaratat politike me vendimet ligjore dhe organet e drejtësisë apo edhe organet e administratës shtetërore janë ato që duhet të flasin. Ne pranojmë çdo vendim që merr çoftë Gjykata Supreme dhe duhet t’iu bindemi institucioneve”, tha Desku për KosovaPress.

Ai po ashtu tha se për çdo pakënaqësi që kanë subjektet politike kundrejt PZAP-it duhet t’iu drejtohen rrugëve ligjore.

Gjykata Supreme e Kosovës sot ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, që Prishtina dhe Prizreni të mos shkojnë në rinumërim.