Ankesa për parregullsi zgjedhore

Ankesa për parregullsi zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka njoftuar se gjatë ditës së heshtjes zgjedhore dhe të dielën ka pranuar 104 ankesa për parregullsi zgjedhore.

Kryesuesi i Sekretariatit të PAZP-it, Mulë Desku për portalin rtv21.tv ka thënë se të gjitha këto ankesa kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore.

“Për heshtje zgjedhore më 5 dhe 6 tetor, PZAP-i ka pranua 104 ankesa. Të gjitha kanë të bëjnë me thyerjen e heshtjes zgjedhore. Përdorimin e rrjeteve sociale, sms e vendosja e posterave në hapësira publike më afër se 100m në vendvotime etj”, ka thënë Desku për rtv21.tv.

Kryesuesi i Sekretariatit të këtij paneli ka bërë të ditur se ankesat do të shqyrtohen brenda afatit ligjor.

Referuar informacioneve zyrtare, gjatë procesit zgjedhor janë evidentuar disa raste të natyrave të ndryshme të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 29 personave që ndërlidhen me rastet e procesit zgjedhor, ku prej tyre 23 persona janë ndaluar me vendim të Prokurorëve kompetent të Prokurorisë së Shtetit.

Më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë ku morën pjesë 20 parti politike, katër koalicione dhe 1 kandidat të pavarur, dhe 1 mijë e 67 kandidatë për deputetë./21Media