Sipas organizatës GERMIN, KQZ nuk po e zbaton plotësisht vendimin e Gjykatës Supreme

Sipas organizatës GERMIN, KQZ nuk po e zbaton plotësisht vendimin e Gjykatës Supreme

​Organizata GERMIN ka përcjellur edhe një ankesë tek organi i pavarur për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP në lidhje me 1 mijë e 806 pakot e patrajtuara të fletëvotimeve nga diaspora, duke kërkuar që në bazë të mandatit që ia jep Ligji mbi Zgjedhjet e Përgjithshme dhe në bazë të aktgjykimeve të Gjykatës Supreme, të ndërmarrë veprime konkrete dhe të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të numëruar 1.806 pakot e mbetura me fletëvotime të ardhura përmes postës.

Kjo organizatë thotë se gjatë vëzhgimit të verifikimit dhe numërimit të pakove me fletëvotime të cilat kanë ardhur përmes postës pas datës 5 tetor, vëzhguesit e Organizatës GERMIN kanë vërejtur se KQZ nuk po e zbaton plotësisht vendimin A.A.UZH.nr. 20/2019 të Gjykatës Supreme, lidhur me pranueshmërinë e votave në fjalë.

“KQZ nuk i ka procesuar fare 1806 pako me fletëvotime nga diaspora të cilat kanë arritur mes datës 11 tetoe 2019, ditën kur është ushtruar ankesa ndaj Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka sjellë deri tek vendimi i Gjykatës Supreme për pranueshmërine e fletëvotime të ardhura me postë pas ditës së zgjedhjeve, dhe deri më datën 17 tetor 2019. Konsiderojmë që ky veprim i KQZ-së nuk është në përputhje me aktgjykimin A.A.UZH.nr. 20/2019 të datës 30.10.2019 të Gjykatës Supreme. 1806 pakot e patrajtuara të fletëvotimeve nga bashkëqytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit janë refuzuar pa kaluar asjnë procedurë verifikimi. Të gjitha këto pako janë nisur si dërgesa postare para afatit përfundimtar për dërgimin e pakove postare të vendosur nga KQZ-ja, përkatësisht nga data 19 shtator deri më datën 5 tetor 2019, gjë që mund të vërtëtohet në bazë të vulës p ostare në datën e nisjes. Gjithashtu, 1806 pakot në fjalë kanë ardhur në KQZ përpara se të nisej verifikimi dhe numërimi i 4639 të tjerave që ishin objekt i ankesës së parë të LVV-së, e cila do të thotë se përfshirja në numërim e 1806 pakove të reja nuk do të kishte vonuar procedimi i pakove të tjera. Mostrajtimi i këtyre pakove të fundit bie në kundërshtim me aktgjymin e Gjykatës Supreme A.A.UZH.nr. 20/2019 të datës 30.10.2019, si dhe me aktgjykimin më të hershëm të kësaj Gjykate, A.A.-U.ZH.nr. 19/2019 të datës 25.10.2019. Për sa i përket vlefshmërisë së votave me postë të ardhura pas afatit ligjor dhe Rregullës Zgjedhore të KQZ-së nr. 03/2013, Gjykata Supreme përmes aktgjykimit A.A.UZH.nr. 20/2019 ka vendosur qartë se mospranimi i votave të ardhura me postë pas datës 5 tetor përbën shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, zbatueshmëria e së cilës garantohet nga neni 22 i Kushtetutës së Kosovës. Aktjykimi në fjalë i Gjykatës Supreme konstaton se “neni 96 par. 3 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe neni 4 par. 4 i Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013 janë në kolizion me nenin 3 të Protokollit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i cili përfshin të drejtën për zgjedhjet e lira, dhe në rastin konkret votuesit pa fajin e tyre ishin privuar nga mundësia për të shprehur mendimin e tyre në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës, votuesve u është mohuar veti thelbi i së drejtës për të votuar, siç garantohej nga neni 3 i Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, refuzimi për të proceduar 1806 pakot në diskutim bie ndesh gjithashtu me aktgjykimin e parë të Gjykatës Supreme lidhur me këtë rast, A.A.UZH.nr. 20/2019, i cili, duke u mbështetur në Ligjin Nr. 03/L-006 për Procedurën Kontestimore, neni 127, par. 2, konstaton se votat e nisura me postà « përpara datës së zgjedhjeve “duhet të trajtohen sikur kanë arritur në KQZ brenda afatit të pranueshëm”. Të gjitha 1806 pakot e panumëruara janë nisur përpara datës së zgjedhjeve. Përkatësisht, janë dorëzuar me postë nga data 19 shtator deri më 5 tetor 2019. Rrjedhimisht, sipas arsyetimit të kësaj Gjykate, edhe ato “duhet të trajtohen sikur kanë arritur në KQZ brenda afatit të pranueshëm” dhe duhet t’i nënshtrohen të njëjtit proces të verifikimit dhe numërimit, në mënyrë të barabartë me të tjerat”, thuhet në një komunikatë të organizatës.

Kjo organizatë nëpërmjet një komunikate thotë se sipas logjikës së aktgjykimeve të Gjykatës Supreme për votat me postë, të gjitha pakot me fletëvotime të nisura para ditës së zgjedhjeve, të cilat kanë arritur në KQZ deri në ditën përpara procesimit të 4 mijë e 639 pakove për të cilat është ushtruar ankesë nga subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje, duhej të procesoheshin së bashku me to. Përkitazi me këtë, 1 mijë e 806 pakot me fletëvotime janë po aq të vlefshme sa 4 mijë e 639 pakot e tjera të numëruara tashmë nga KQZ dhe duhet të procesohen, pa vonesë.