Qalaj tha polici Karaxha nuk u suspendua për shkak të djalit të Maxhunit

Mustafa potencoi se objektiv kryesor i punës së tij është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar

Zyrtari policor, Afrim Karaxha nuk është suspenduar për publikimin informacioneve për djalin e shefit të AKI-së, por për shkak të qasjes pa leje në sistemin e të dhënave. Këto deklarime drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj i bëri gjatë raportimit sot në Komisionin për Punë të Brendshme, ku bashkë më të ka raportuar edhe ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa.

I pyetur nga deputetët për arsyen e suspendimit të zyrtarit policor, në përgjigjen e tij Qalaj tha se sistemi i të dhënave konsiderohet  informacion i klasifikuar.

“Polici që është suspenduar ka pasur disa hyrje në sistem, të cilat i ka arsyetuar që ka qenë krejt normale, meqë ai ka hyrë dhe ka bërë verifikim për një person me kërkesë të patrullës në terren. Mirëpo, në një rast hyrjen që e ka bërë për 18 sekonda nuk ka mundur ta arsyetojë dhe më vonë me kërkesën time personale ka filluar hetimi nga Inspektorati Policor në lidhje me rastin konkret. Dhe është dyshuar dhe dyshohet, por mund të them se edhe është konstatuar që personi në fjalë ka ndërhyrë dhe ka nxjerrë informata nga sistemi, nga data-baza që është ndërhyrje e paautorizuar në sistem të klasifikuar. Kjo është arsyeja pse është suspenduar dhe jo materia pse ka dalë, por hyrja në sistem që e konsiderojmë si informatë të klasifikuar”, tha ai.

I pari i Policisë së Kosovës, gjatë raportimit të tij theksoi se fokus kryesor për vitin 2019 e kanë luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai foli edhe për nevojën për shtimin e numrit të policëve në Njësitë Speciale, ku një gjë të tillë e paralajmëroi se do ta bëjnë vitin e ardhshëm.

Qalaj tha se ky është një proces që kërkon edhe investime në pajisje, vetura, mirëpo sipas tij kjo është e domosdoshme. Ndërkohë, që Kosova dështoi të anëtarësohet në Interpol këtë vit, Qalaj u shpreh se ende nuk kanë vendosur nëse do të aplikojnë vitin e ardhshëm për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë, ndërkohë që dha edhe arsyet për këtë mëdyshje.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa potencoi se objektiv kryesor i punës së tij është parandalimi dhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ndër objektivat e mia si ministër do të jetë parandalimi dhe luftimi i korrupsionit, krimit të organizuar, përfshirë këtu edhe trafikimin me narkotikë, trafikimin me qenie njerëzore, krimin ekonomik. Do të luftojmë nepotizmin, do t’i kushtoj vëmendje luftimit të krimit kibernetik. Do të punoj në fuqizimin e sigurisë politike me të gjithë akterët relevantë. Gjithashtu, vëmendje të madhe do t’i jap edhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit, këtu kam parasysh edhe rritjen e bashkëpunimin ndër rajonal dhe ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Ministri Mustafa foli edhe për domosdoshmërinë e miratimit të ligjit për pensionim të parakohshëm. Këtë ai e arsyetoi se shumë zyrtarë policorë që janë të sëmurë nuk arrijnë të kryejnë siç duhet detyrat e tyre.

“Nëse kemi implikime buxhetore në moshën 55-vjeçare të mëdha që i kushtojnë shtetit me caktua një moshë pak më të largët që implikimet buxhetore me qenë më të vogla, sepse në të njëjtën kohë ne kemi konstatuar se ne humbim në aspektin financiar, por përfitojmë në rigjenerimin e strukturave policore. Jo vetëm të policisë po edhe të agjencioneve të tjera, siç është zjarrfikësit, sepse kemi zjarrfikës 60 vjeçar ai nuk ka mundësi t’i kryej detyrimet dhe punët që i përshkruhen me ligj”, tha ai.

Sa i përket dështimit për anëtarësim të Kosovës në Interpol, ministri Mustafa tha se kjo ka ndodhur për shkak të politizimit të kësaj organizate.

Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi kërkoi nga ministri i Punëve të Brendshme të ofrojë mbështetje për Policinë e Kosovës, që sipas tij të zgjidhen disa gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën, ku ai ka përmendur çështjen e dhomës së dëshmive.

Madje, Selimi ka kërkoi që këto tema të zgjidhen dhe të mos jenë barrë mbi Policinë e Kosovës. “Policia të mos identifikohet me këto probleme të pazgjidhura, po të identifikohen në të ardhmen me sukseset e saj. Po ashtu, kisha me kërkua prej juve një angazhim maksimal në të ardhmen që të procedohen disa ligje që janë shumë të nevojshme për strukturën e Policisë dhe për organizatat e sigurisë që i keni ju. Është shumë e nevojshme, ka kohë që e përmendim ligjin për Policinë, ligjin për pensionimin e parakohshëm të Policisë, ndoshta nuk ish dashtë me u shty deri tash. Ka ardhur sa herë drafti, është kthyer, nuk është proceduar për çështje financiare. Ne e kuptojmë dhe e dimë që nuk e kemi komoditetin e mjaftueshëm në fushën e financave që të bëjmë ligje, të cilat pastaj na dalin problem për t’i implementuar. Por, ky është një prej ligjeve që duhet të bëhet patjetër, ky është njëri prej ligjeve që ka nevojë policia shumë”, tha ai.

Selimi pati kritika edhe sa i përket Policisë së Kosovës, me ç’rast tha se janë disa raste të dhunës në familje ku nuk ka pasur mbrojtje të mjaftueshme.

Back to top button