Qau qielli për Vjosën

Poezi nga Arbër Selmani
Qau qielli për Vjosën
Mes turmës së njerëzve
jo, më falni
nuk pati njerëz
pati trupa të tharë prej dhimbjes
ishim vetëm rroba të përpëlitura për mish të gjallë
aty, po aty
u dëgjuan vajet e dy grave, nënës e motrës
jo, më falni
nuk ishin dy gra
ishin dy pjata kuzhine të copëtuara
dy skenarë të palexueshëm
dy mëlmesa të pakëndshme
disa qeliza të plasaritura
por më erdhën, në eho
në qendër të varrezave, edhe varreza tjetër
e gatshme ta përthithë jetën
angazhimin, elegancën,
aktivitetin fizik, rrezatimin e mahnitshëm
buzët e kuqe, zërin e kërcitshim
çmimet, udhëtimet
cirkun fluturues që ajo e solli në dritë
festivalin që i del çdo vit në pritë
jo, më falni
jo çdo vit, por ditë për ditë
ajo i vërsulej një dragoi që erdhi pa ftesë
dhe hyri ku nuk pritej, ku nuk shihej
për të provuar një disfatë
jo, më falni
nuk rrëzohet lehtë një Vjosë
e matur, e përmbajtur, e plotësuar
motorike, e furishme
si qielli në ditën e fundit të kortezhit
mbushur breshër, breshër, e breshër
dehje në violinë, në piano, çarje
e vaj, vaje, vaj i motrës, i nënës
(në cilën botë prindi duhet ta varrosë fëmiun e tij?)
vaj i Zotit
edhe i të paplotit
vaj i imi, plasje e shpirtit për Vjosën që vallëzoi larg
kaq ishte jeta e një njeriu.

Back to top button