Qendra Rehabilituese e Shtimes përballet me mungesë stafi

Qendra Integruese Rehabilituese në Shtime, ka kapacitet vetëm për 65 persona

Në Qendrën Integruese Rehabilituese të të Sëmurëve Kronik në Shtime, aktualisht ndodhen 61 pacientë. Ndërsa ky institut ka kapacitet vetëm për 65 persona, ku sipas drejtorit në të shumtën e rasteve edhe nuk ka vend për pacientë tjerë.

E nga rekomandimet e Avokatit të Popullit, del se në këtë qendër, nuk ka staf profesional dhe adekuat për trajtimin e këtyre rasteve. Një gjë të tillë nuk mohon as vet drejtori, i cili ka thënë se kanë nevojë për së paku edhe 12 punëtorë tjerë. Sipas Avokatit të Popullit ndihmësit mjekësorë nuk kanë asnjë trajnim specifik për punën me pacientët me çrregullime kronike psikiatrike.

Drejtori i Qendrës Integruese dhe Rehabilituese në Shtime, Miftar Zenelaj, në një intervistë për kp, ka justifikuar një gjë të tillë, duke thënë se po punohet me një numër shumë të vogël të stafit.

“Nevojitet staf infermierik përpos që thash ai profesional. Kemi  nevojë për staf shtesë, kemi nevojë për ndihmës mjekësor, kemi nevojë për terapeutist, kemi nevojë për shofer ambulantiv, kemi nevojë për kuzhinier, kështu që me këtë staf që posedojmë, mund të them lirisht se kemi punë dhe angazhime shtesë, për me arrit me i përmbush nevojat e këtij institucioni”, ka thënë Zenelaj.

Sipas Zenelajt, kjo qendër ka nevojë së paku edhe për 12 punëtorë, në mënyrë që të përmbushen edhe nevojat e pacientëve. Edhe vet ai ka pohuar se është mirë që çdo herë stafi të avancohet në aspektin e njohurive profesionale.

Në raportin e Avokatit të Popullit, përmenden edhe kushtet që ofron kjo qendër, për të cilat thuhet se janë mesatare. Zenelaj ka treguar se në bazë të disa donacioneve nga Banka Botërore, kjo qendër tashmë është duke u renovuar.

Qendra Integruese Rehabilituese në Shtime, ka kapacitet vetëm për 65 persona. Shumë herë sipas Zenelajt, nuk ka kapacitet më, ani pse ka kërkesat janë të shumta.

Tutje ai ka treguar se për shkak të margjinalizimit të kësaj kategorie, ka shumë pacientë që asnjëherë nuk vizitohen nga familjarët e tyre.

“Në këtë aspekt shumë prej tyre janë braktisur nga familja e tyre, fatkeqësisht. Ka pacientë, i cili nuk ka vizitë me vite të tëra nga familja. Ne jemi të obliguar përmes punëtorit social edhe prej kujdestarit ligjor, të cilin e përcakton punëtoria, për punë dhe mirëqenie sociale e komunës nga vjen pacienti, që e ka   obligim ligjor të paktën një herë në muajt të informohet gjendjen e tij shëndetësore. Një pjesë e familjes tërhiqen prej ofrimit të këtyre personave”, ka thënë ai.

Zenelaj tregon se çfarë përjetojnë këto raste që përfundojnë në këtë gjendje.

“Është faktori gjenetik,  apo shkaktari gjenetik faktori psiko-social  dhe natyrisht faktori biologjik. Ne që më së shumti bazohemi si shkencë, fokusi jon është tek faktori, me modernizimin e botës është vërtetuar që psiko-social, ka një rol shumë të rëndësishëm në çrregullimet psikotike. Traumat e jetës, duke përfshirë traumat sociale, mund të  përfundoj në një çrregullim më serioz siç është skizofrenia”, ka thënë Zenelaj.

Një ditë qëndrimi në këtë qendër buxhetit të Kosovës i kushton 23 euro. Mosha mesatare e pacientëve në këtë qendër është 50 vjeçare, i cili përfshin nacionalitete të ndryshme. E për shkak se ky Institut nuk ka hapësirë të mjaftueshme, drejtori i kësaj qendre ka treguar se prioritet u jepet personave që nuk kanë familje.

Back to top button