Të gjithë po presin zgjedhjet

Të gjithë po presin zgjedhjet

Sot u shpërbë Kuvendi i Kosovës me 88 vota pro, një kundër dhe dy abstenime. Pas seancës përfaqësues të partive politike dhanë qëndrimet e tyre sa i përket kësaj çështje.

Avdullah Hoti, nga LDK bëri thirrje që presidenti t’i shpallë zgjedhjet pasi që sipas tij kjo është e drejtë e deputetëve.

“Qeveria e PAN-it do të mbetet në histori si qeveria më e madhe në botë me 454 të emëruar politik, kryeministër me 35 këshilltar, me pesë zëvendëskryeministra, 21 ministra me 145 këshilltarë, 80 zëvendësministra me 80 këshilltar të tyre me 5 koordinator…Qeveria e PAN-it me vendime jo ligjore e ka dëmtuar buxhetin me rreth 200 milionë euro, 60 milionë nga falja e borxheve të kompanive private 53 milionë për Bechtel-Enca, dyfishimi i pagës së kabinetit qeveritar”, tha ai.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti  e quajti këtë hap të mirë, ai pati kritika të shumta për qeverinë paraprake. Kurti u zotua se nëse del fitues në zgjedhjet e ardhshme qeveria do të fokusohet në mirëqenien e qytetarëve si luftimin e korrupsionit , arsim cilësor e të tjera.

“Ishte një qeveri në të cilën kryeministri që u dorëhoq kishte dyfish më shumë në parti në koalicionin qeverisës se sa deputet të partisë së tij në Kuvendi. Ku kemi parasysh se me shpejtësi marramendëse e kanë rritur borxhin publik, e në sasi enorme e kanë rritur deficitin buxhetor, natyrisht se sot është ditë gëzimi për të gjithë qytetarët e republikës”, tha ai.

Kurse, Ahmet Isufi nga AAK e cila ishte në qeveri, përmendi të arriturat e kësaj qeverie e si të tilla i cilësoi, taksën 100%, formimin e ushtrisë, statusin e Trepçës e të tjera.

Ndërsa, Bilal Sherifi nga Nisma, e cila po ashtu ishte në qeveri tha se ka qenë e pamundur që këtë qeveri ta dërgojnë në shtëpi. Ai po ashtu tha se si për të arriturat ashtu edhe për dështimet meritat i takojnë gjithë koalicionit. Sa i përket koalicionit me AAK-në ai tha se janë në bisedime, por që ende nuk ka asgjë konkrete.

Kuvendi u shpërnda për arsye se ish-kryeministri,  Ramush Haradinaj më 19 korrik dha dorëheqje nga posti pasiqë u ftua Gjykata Speciale. Grupet parlamentare vendosën me 5 gusht që sot të mbahet seanca për të shpërndar Kuvendin dhe të iu hapet rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme./21Media