“Qerim Kelmendi nuk ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale”

Vëllai i Kelmendit tha se kanë pasur armiqësi vetëm me Serbinë

Familjarët e ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendi, që mëngjesin e sotëm u gjet i vrarë thanë se atë e kanë vrarë në një pritë armiqtë e UÇK-së.

Në Zahaq të Pejës në shtëpinë e të ndjerin sot filluan përgatitjet për ‘kryeshëndoshë’.

Aty vëllai i tij, Osmani nën emocione rrëfen për kp momentet kur mori lajmin tragjik. “Lajmin e kam marrë prej nipit tim. Unë kam qenë në Prishtinë. Në 04:30 në mëngjes më ka thënë se ka ndodhur diçka e tmerrshme, se është vrarë vëllai Qerim Kelmendi, këtu krejt afër shtëpisë në një pritë. Pastaj pjesa tjetër është e policisë sonë. Ata e dinë më mirë”, tha ai.

Ai rrëfeu se Qerimi nuk ka pasur probleme me askënd, përveç me armiqtë serbë dhe armiqtë e UÇK-së.

“Ne kemi pasur armiqësi vetëm me shtetin e Serbisë. Mendoj se janë armiqtë e UÇK-së dhe shtetit të Kosovës. Me këtë vrasje kanë dashur të hakmerren ndaj shtetit dhe UÇK-së”, tha ai.

Osmani u shpreh se vëllai i tij nuk ka qenë i ftuar nga Gjykata Speciale.

“Ai nuk ka qenë i ftuar, nuk e ka pas problem të prononcohet në media dhe Facebook”, tha ai.

Mbrëmë pas mesnate në fshatin Zahaq të Pejës u vra ish-luftëtari i UÇK-së, Qerim Kelmendi. Pas vrasjes së Kelmendit, deri tani reagoi OVL e UÇK-së, si dhe presidenti Hashim Thaçi.

Back to top button