Mbahet takimi i dytë koordinues mes dy Qeverive shqiptare

Mbahet takimi i dytë koordinues mes dy Qeverive shqiptare

Në Tiranë është mbajtur takimi i dytë koordinues në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, lidhur me marrëveshjet e nënshkruara në mbledhjen e dy Qeverive të mbajtur në Pejë. Në këtë takim është bërë e ditur se qershori do të jetë afati i fundit për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Në këtë takim është diskutuar për marrëveshjet e arritura në muajin nëntor në Pejë, siç është marrëveshja për hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar mes dy shteteve.

Koordinatori kombëtar dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, tha se janë ftuar dy delegacionet përkatëse për të dhënë kontributin përmes diskutimit dhe analizuar rezultatet e arritura deri me tani si dhe sfidat e implementimit të marrëveshjeve të nënshkruara. Limaj tha se koordinimi i aktiviteteve nga dy palët dhe qasja e mirëfilltë do të garantojë implementimin e marrëveshjeve mes dy vendeve tona.

“Ky takim koordinues ka për qëllim trajtimin e çështjeve të identifikuara nga takimi i parë, që nënkupton që diskutimi sot do të orientohet në sfidat që kërkojnë veprime konkrete nga organet zbatuese me qëllim të tejkalimit me lehtësi duke reaguar në kohë. Konsiderojmë se koordinimi i aktiviteteve nga të dy palët do të të garantojë implementimin e këtyre marrëveshjeve mes dy Qeverive tona. Ajo që unë mund të them me kënaqësi sot, nga katër marrëveshje që kemi arritur në mbledhjen e dy Qeverive në Pejë ka pasur një progres, të shfrytëzojmë rastin të shohim ku jemi me katër marrëveshjet e nënshkruara. Ashtu sic e kemi bërë një tajming qershori do të jetë afati i fundit në implementimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Pejë”, tha Limaj.

Limaj tha se nga ministritë e të dyja shteteve do të tregohet për sfidat që i kanë, që më pastaj të raportojnë tek kryeministrat, ai i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, për të eliminuar ato pengesa.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se niveli i komunikimit dhe mbikëqyrjes së realizimit të marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri ka kaluar në një fazë tjetër, ku ai tha se si grup e kanë përgjegjësi që ashtu siç është marrë zotimi që ajo që nënshkruhet duhet të implementohet në tërësi.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe, tha se që nga mbledhja e parë e përbashkët e dy Qeverive ku është nënshkruar dokumenti bazë i partneritetit strategjik mes dy shteteve kanë kaluar nga plotësimi i kuadrit ligjor, në përafrimin e legjislacionit në mes dy shteteve dhe në implementimin e marrëveshjeve të arritura.

“Me Kosovën ashtu sikur edhe me katër vendet e tjera të Ballkanit  Perëndimor po punojmë fort drejt krijimit të një zone ekonomike të përbashkët, një zonë ku legjislacioni i vendeve tona lehtëson tregtinë, lëvizjen e lirë të njerëzve, të mallrave dhe në të njëjtën kohë, është i përafruar me legjislacionin e BE-së. Në këtë drejtim nëpërmjet koordinimit dhe aksioneve politike diplomatike të dy vendeve tona që ne arritëm pas më shumë se një viti përpjekje të nënshkruajmë në mars të këtij viti një marrëveshje rajonale për roaming, e cila do të ketë efektin real në tarifat telefonike duke filluar që nga data 1 korrik i këtij viti. Po ashtu, vetëm në rrafshin dy palësh me Kosovën kemi një marrëveshje për lehtësimin e tarifave roaming, përputhshmëria në mes këtyre dy marrëveshjeve do të diskutohet edhe sot”, tha ai.

Sa i përket marrëveshjes për hapjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar, ai tha se është një çështje komplekse por që sipas tij, nëse punohet mund të arrihet.

“Në funksion të hapjes së tregjeve tona ne kemi punuar ngushtësisht në muajt e fundit për heqjen e vështirësive të tejkaluara në kohë në kohën e kalimit të kufijve të lëvizshmërisë së njerëzve. Por heqja e pengesave të kalimit kufitar ka edhe një aspekt të rëndësishëm sigurie, sa kombëtar aq edhe rajonale dhe evropiane. Menaxhimi i kufijve është një çështje komplekse, gati – gati një sfidë në vete, por nëse bashkëpunojmë dhe bashkërendojmë punët ndërmjet strukturave tona sfida bëhet shumë here më e menaxhueshme. Ne synojmë të realizojmë menaxhimin  integruar të kufijve përmes pikave të përbashkëta të kalimit kufitar për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar”, tha ai.

Mbledhja e Qeverive shqiptare u mbajt më 26 nëntor të vitit 2018.