Qeveria e Kosovës do të jetë përkrahëse e madhe e prodhuesve vendorë

Haradinaj sot ka takuar  përfaqësuesit e mullisëve të Kosovës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i saj Bashkim Zejnullahu, me të cilët bisedoi për situatën më të fundit në këtë sektor, pas vendosjes së taksës prej 100 për qind për produktet e Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është njoftuar nga përfaqësuesit e shoqatës për punën dhe sfidat pas vendosjes së taksës 100 për qind si dhe për hapat e ndërmarrë nga ta në rritjen e cilësisë së miellit, bëhet e ditur në komunikatën për media.

Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të jetë përkrahëse e të gjithë prodhuesve vendorë përmes stimulimit dhe masave lehtësuese, me qëllim të rritjes së efikasitetit dhe efektivitetit të bizneseve që merren më këtë veprimtari, masa këto që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ndërsa, kryetari i shoqatës, Bashkim Zejnullahu është shprehur se vendosja e taksës 100 për qindë për miellin nga Serbia, është një hap i mirë për kultivuesit dhe prodhuesit vendorë.

“Vendimi për vendosjen e masës 100 për qind për miellin nga Serbia është i mirëseardhur, duke vlerësuar se kjo masë në planin afatgjatë do të ndikojë pozitivisht tek kultivuesit dhe prodhuesit vendorë”, tha Bashkim Zejnullahu.

Në këtë takim të pranishëm ishin edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala,zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Gashi dhe Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Valdet Gjinovci. /21Media 

Back to top button