“Qeveria e Kosovës mbase i ka edhe ditët e numëruara”

Fazliu: Mosmarrëveshjet e dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit qeveritar mund të shkaktojnë mbase edhe ndarje

Në emisionin debatues “Click” të RTV21, sonte i ftuar ishte gazetari, Eraldin Fazliu, i cili rreth takimit që u mbajt sot i liderëve të koalicionit qeverisës, tha se vetë fakti që nuk u deklaruan për media tregon që Qeveria e Kosovës është e çarë.

“Taksa është duke e përcaktuar komplet edhe vetë ose është  bërë faktor kyç në vetë stabilitetin e Qeverisë së Kosovës. Në fakt nëse e marrim për bazë faktin se pas këtij takimi nuk ka pasur deklarim për media tregon që Qeveria e Kosovës është e çarë edhe si e tillë nuk po është as në gjendje të dal para mediave dhe në një prononcim të shpjegojë se cilat ishin pikat kryesore, cila është dakordanca për të vazhduar më tutje me qeverisjen e vendit.”, ka deklaruar Eraldin Fazliu.

Madje sipas tij, Qeveria e Kosovës mund t’i ketë edhe ditët e numëruara si pasojë e mosmarrëveshjeve që dy partnerët e mëdhenj të koalicionit qeveritar i kanë rreth taksës ndajë mallrave serbe.

“Unë mendoj që në këtë pikë Qeveria e Kosovës i ka mbase edhe ditët e numëruara mund të vazhdojnë edhe për një kohë të caktuar, por sidomos mosmarrëveshjet në mes dy partnerëve më të mëdhenj të koalicionit qeveritar, në mes të PDK-së dhe AAK-së rreth taksës ndajë mallrave serbe duket që mund të jetë një pikë që mund të shkaktojë mbase edhe një ndarje edhe të sjellë zgjedhje të reja.”, është shprehur ai.

Bazohem gjithmonë duke u thirrur në deklaratat e eksponentëve kryesor të PDK-së, para disa ditëve të cilët me njëfarë doze madje edhe protagonizmi merrnin meritat për vendosjen e taksës ndajë produkteve që vijnë nga Serbia , ndërsa… tash pas disa ditëve pa asnjë shpjegim të logjikshëm se përse kanë arritur në përfundim se duhet të hiqet taksa, përveç se kësaj se SHBA po bënë presion, unë nuk gjej arsyetim tjetër.”, ka thënë Fazliu.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media sot pas takimit të liderëve të koalicionit qeverisës është deklaruar se  koalicioni qeverisës është stabil.

“Është vlerësim i përbashkët se koalicioni është funksional dhe stabil. Do të vazhdohet me përkushtim në arritjen e qëllimeve në përputhje me objektivat programore qeverisëse.”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës./21Media

Back to top button