Qeveria e Kosovës deklarohet për takimin në Bruksel

Në Bruksel sot u mbajt takimi i tretë i nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Disa orë pas përfundimit të takimit, Qeveria e Kosovës tregoi se çfarë është biseduar në takim.
“Sot kishte dy tema në agjendë. E para ishte diskutimi për Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes. Kryeministri Albin Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë. Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim. Kryeministri Kurti falënderoi Bashkimin Evropian, z.Borrel dhe z.Lajçak, për organizimin dhe ndërmjetësimin në këto bisedime, drejt normalizimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Ky takim, sipas tyre, është dashur të mbahej më 19 korrik. Mirëpo, është shtyrë për muajin gusht me kërkesën e palës tjetër, gjersa Kurti, ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje./21Media

Back to top button