Qeveria e Maqedonisë i përgjigjet Kurtit: “Ballkani i Hapur” gjithmonë do ta ketë politikën e dyerve të hapura

Në prononcim për TV21, nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut i janë përgjigjur letrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një letre refuzoi ftesën për të marrë pjesë në samitin e “Ballkanit të Hapur” në Ohër. Nga ekzekutivi thonë se kjo nismë gjithmonë do ta ketë politikën e dyerve të hapura.
“Ballkani i Hapur” e ka dhe do ta ketë gjithmonë politikën e dyerve të hapura. Nisma ekziston për shkak të përfitimeve ekonomike për qytetarët, të cilët duhet t’i gëzojnë edhe qytetarët e Kosovës si pjesë e pandashme e Ballkanit Perëndimor”, thonë nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut.
Ndryshe, Kurti gjatë ditës së djeshme i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Kovaçevski me një letër, në të cilën refuzoi pjesëmarrjen në Samit, duke shkruar se Kosova është e angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian./TV21

Back to top button