Haradinaj në takim me një delegacion të UP-së

Haradinaj në takim me një delegacion të UP-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim një delegacion të profesorëve dhe Dekanëve nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, të kryesuar nga rektori Marjan Dema, me të cilët ka biseduar rreth gjendjes në Universitetin e Prishtinës dhe arsimit të lartë në përgjithësi.

Me këtë rast, Haradinaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e Universitetit të Prishtinës dhe arsimit të lartë në përgjithësi, duke vlerësuar se ngritja e cilësisë në arsim është e një rëndësisë të veçantë për vendin, marrë parasysh trendet dhe zhvillimet e hovshme globale.

“Universiteti i Prishtinës është aset kombëtar dhe pikë orientuese e zhvillimit të shoqërisë tonë, të cilin Qeveria e vendit do ta mbështes në vazhdimësi, me qëllim të avancimit profesional, konform trendëve globale”, ka deklaruar Haradinaj.

Në këtë takim, i pari i Qeverisë u informua për sfidat e Universitetit të Prishtinës, me theks të veçantë mungesën e laboratorëve dhe me mënyrën e rifunksionalizimin efektiv të Instituteve në Fakultetet përkatëse, si dhe në mbrojtjen e profesioneve të veçanta dhe rigjenerimin e kapaciteteve kadrovike, sidomos në Inxhinierin Elektrike dhe në fushën e matematikës.

“Arsimi si një nga prioritet kryesore të Qeverisë do ta ketë mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen. I gëzohemi arritjeve dhe sukseseve të studentëve tanë të cilët duhet të jenë konkurrentë për tregun global”, ka thënë ai, duke vlerësuar se është e rëndësisë së veçantë që të rritet cilësia e mësimdhënies dhe investimi në infrastrukturën e domosdoshme për zhvillim normal të punës në arsimin e lartë.

Në këtë takim, palët u darkoduan që të bëhet një plan për rishqyrtimin e normativave ligjore të Arsimit të lartë, si dhe shpenzimet e nevojshme./21Media