Qeveria e re përcaktoi 5 zëvëndëskryeministra

Formohen edhe komisionet themelore të Qeverisë

Qeveria e re e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev sot e ka mbajtur seancën e parë, në të cilën, siç thuhet në komunikatë, është shprehur pajtueshmëri e përbashkët për punë të përkushtuar dhe efikase të anëtarëve, në interes të nevojave të qytetarëve dhe të interesave shtetërore të Republikës së Maqedonisë.

Kryeministri Zoran Zaev përcaktoi pesë zëvendës edhe atë: Radmilla Shekerinska, si zëvendës kryetare e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Oliver Spasovski, zëvendës-kryetar i Qeverisë dhe ministër i Punëve të Brendshme, Bujar Osmani ministër pa portofol për zëvendëskryetar të Qeverisë, Koço Angjushev, ministër pa portofol për zëvendëskryetar të Qeverisë, të angazhuar për çështje ekonomike dhe për koordinim me resoret ekonomike dhe Hazbi Lika, ministër pa portofol për zëvendëskryetar të Qeverisë, i angazhuar për zbatimin Marrëveshjes së Ohrit dhe sistemin politik,shkruan tv21.tv

Nga radhët e ministrave pa portofol, kryetari i Qeverisë i caktoi: Robert Popovski, minsitër pa portofol i angazhuar për komunikime, llogaridhënie dhe transparencë, Edmond Ademi, ministër pa portofol, i angazhuar për diasporë, Adnan Qahil, ministër pa portofol i angazhuar për investime të huaja, Samka Ibraimovski, ministër pa portofol i angazhuar për implementimin e Strategjisë për përmirësim të gjendjes së romëve në Republikën e Maqedonisë, Zoran Shapuriq, ministër pa portofol i angazhuar për rregullativën për përmirësim të klimës investuese për ndërmarrjet vendore, Zorica Apostollovska, ministre pa portofol e angazhuar për investime të huaja dhe Ramiz Merko, ministër pa portofol i angazhuar për investime të huaja.

Janë formuar edhe komisionet themelore të Qeverisë:

Komisioni për sistem ekonomik dhe politikë rrjedhëse ekonomike, Komisioni për sistem politik dhe Komisioni për resurse njerëzore dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Në mbeldhje qeveritare u formuan edhe komisionet e posaçme të Qeverisë, dhe atë: Komisioni për emërim, Komisioni për çështje banesore dhe komiisoni për privatizim.

Në mbledhjen e Qeverisë është formuar edhe Komiteti udhëheqës për koordinim dhe menaxhim në sistemin për menaxhim me kriza, udhëheqës i të cilit është Oliver Spasovski, zëvendës i kryetarit të Qeverisë dhe ministër i Punëve të Brendshme./21Media

Back to top button