Qeveria hesht për masa mbrojtëse të importit të qumështit nga Bosnja

”Topi ka mbetur duke gjuajtur, herë te ministria e Tregtisë, herë te Ministria e Financave”

Kosova brenda një vitit importon rreth 9 milionë litra qumësht nga Bosnja në vlerë prej rreth 6 milionë euro.

Vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti janë importuar 4 milionë e 400 mijë litra qumësht nga ky vend në vlerë prej 2 milionë e 500 mijë euro.

Kështu ka thënë kryetari Shoqatës së Fermerëve të Kosovës, Besim Kuqi, i cili i është referuar të dhënave zyrtare të Doganës, duke shtuar se këto produkte me çmim jo konkurruese po i dëmtojnë prodhuesit kosovarë.

Kuqi në një intervistë për Kp ka thënë se më 16 prill të këtij viti Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka marrë vendim për masat mbrojtëse për prodhimet e qumështit nga Bosnja dhe Hercegovina, ndërsa sipas tij, Qeveria po hesht dhe e ka stopuar këtë vendim.

Ai ka apeluar Qeverinë e Kosovës që të zgjidhë këtë problem, sepse sezoni i industrisë së qumështit gati është në përfundim.

“Topi ka mbetur duke gjuajtur, herë te ministria e Tregtisë, herë te Ministria e Financave, dikush thotë  ‘kryeministri duhet me marr vendim’. Por, po shpresojmë që në afat shumë të shkurtër do të zgjidhet ky problem, edhe pse është vonuar shumë, sepse sezona e fermerëve vetëm se është nga fundi. Problem është se sezoni i verës rritet sasia e qumështit me të madhe”, tha ai.

Për mos zbatim të masave mbrojtëse nga ana e Qeverisë, Kuqi ka thënë se sasia e prodhimit të qumështit është zvogëluar për rreth 80 mijë litra qumësht në ditë dhe shumë ferma janë duke u mbyllur për çdo ditë.

Ndërsa, ditë më parë zyrtarë të Ministrisë së Financave, kanë thënë se vendimi i MTI-së për masa mbrojtëse është në Zyrën e kryeministrit për t’u bërë qartësimet ligjore.

Sipas këtyre zyrtarëve është në dorën e kryeministrit të Kosovës ta fuqizojë vendimin dhe ta obligojë Doganën e Kosovës për implementim.

Back to top button