Qeveria miraton Kodin e Procedurës Penale

Miratohet Kodi i Procedurës Penale dhe merret vendimi për organizimin dhe funksionimin e strukturave institucionale për të dhëna të hapura

Qeveria në mbledhjen e sotme ka miratuar Kodin e Proceduarës Penale.

Në hartimin e Kodit të Procedurës Penale janë marrë parasysh eliminimi i  mangësive, zbrazëtive dhe vështirësive të evidentuara gjatë zbatimit të Kodit aktual.

Gjithashtu, Qeveria ka marrë vendimi për organizimin dhe funksionimin e strukturave institucionale për të dhëna të hapura, i cili ka për qëllim të ngrisë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike. Hapja e të dhënave synon forcimin e qeverisjes së mirë dhe rritë besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe përforcon detyrimin e Qeverisë për të respektuar sundimin e ligjit dhe siguron një bazë transparente dhe të përgjegjshme për të përmirësuar vendimmarrjen dhe për të rritur ofrimin e shërbimeve publike. Vendimi obligon të gjitha ministritë dhe agjencitë vartëse të Qeverisë që të hapin të dhënat e tyre në përputhje me interesin publik dhe t’i publikojnë ato në portalin kombëtar për të dhëna të hapura, pa ndonjë pengesë ose kosto administrative.

Mbështetje për Telekomin e Kosovës

Në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, kabineti qeveritar është informuar me gjendjen në Telekomin e Kosovës. Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka prezantuar situatën dhe sfidat, me të cilat është duke u përballur kjo kompani publike me interes vital për zhvillimin e vendit. Në veçanti ka theksuar gjendjen me mungesën e shërbimeve të mirëmbajtjes së aparaturës së kompanisë, vëmendjes institucionale dhe mungesës së ristrukturimit të kompanisë, janë disa nga sfidat që janë duke e pamundësuar edhe funksionalizimin e Telekomit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shprehur angazhimin e kabinetit qeveritar për të mbështetur Telekomin e Kosovës që të funksionojë me afarizëm pozitiv, por ka theksuar se mbështetjet financiare nga buxheti kjo Qeveri nuk i parapëlqen. Me këtë rast, Haradinaj ka kërkuar që kabineti qeveritar të pranojë një analizë në një raport të shkruar nga menaxhmenti i kompanisë dhe gjithashtu ka kërkuar që të përpilohet një plan biznesi i qëndrueshëm, që do të paraqiste ide se si duhet të dalim nga kjo situatë.

Themelohet Komiteti Ndërministror për përzgjedhjen e projektit në pajtim me Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Po sot, Qeveria ka themeluar Komitetin Ndërministror për përzgjedhjen e projektit në pajtim me Ligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz do të realizohet sipas projektit që do të përzgjidhet pas një shpallje të hapur publike. Projekti duhet të përmbajë pjesën e varrezave, konservimin e kullave të rezistencës, bunkerin, objektin informativ, amfiteatrin veror dhe objektet tjera përcjellëse.

Mallrat serbe kanë afat qëndrimi në Depo Doganore 1 vit nga data e futjes në depo

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/76 të datës 21.11.2018, me të cilin përjashtohen nga taksat mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina që janë importuar deri me datë 21.11 2018 dhe janë gjetur nën procedurat doganore me regjim të pezulluar (depo doganore, import të përkohshëm, përpunim nën kontroll doganor dhe përpunimi i brendshëm) me rastin e lëshimit në qarkullim të lirë. Sipas raportit nga Dogana e Kosovës, prej datës 21.11.2018 mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja nuk janë lejuar të futen në Depo Doganore për pezullim të taksave, përveç brendeve. Ndërsa, pas Vendimit numër 06/82 date 28.12.2018 kjo ndalesë vlen edhe për brendet ndërkombëtare.

Me datë 12, 13 dhe 14 dhjetor nga ana e zyrtarëve doganor janë kontrolluar fizikisht mbi 95% të të gjitha këtyre produkteve dhe janë konstatuar se të njëjtat janë te disponueshme tek subjektet afariste, pra janë te magazinuara në Depo Doganore. Këto mallra kanë afat qëndrimi në Depo Doganore 1 vit nga data e futjes në depo. Sipas kriterit të licencimit për depo doganore është paraparë që çdo mall në import me regjim në depo doganore të shkarkohet brenda një viti nga data e importit, përveç rasteve të veçanta./21Media

Back to top button