Kompensim i dëmeve të shkaktuara nga breshri dhe vërshimet

Kompensim i dëmeve të shkaktuara nga breshri dhe vërshimet

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e Kosovës i ka ndarë 1 milion euro për Komunën e Rahovecit.

Këto mjete janë ndarë për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga breshri dhe vërshimet në vitin 2018.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj lidhur me mbledhjen e sotme ka thënë se Qeveria ka marr vendim edhe për lirimin nga norma e taksës doganore për importet e disa llojeve të bagëtive dhe shpendëve.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook” ka njoftuar edhe për disa vendime të tjera që u ndërmorën sot në mbledhjen e Qeverisë. Kreu i Qeverisë ka njoftuar se Bashkësitë fetare në Kosovë janë liruar nga tatimi doganor pas aprovimit të propozimit në qeveri.

“Pashtu, janë liruar nga tatimi doganor për mallrat e importuara Bashkësitë Fetare, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë së tyre financiare. Miratim ka marr edhe nisma për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare me Republikën e Francës për vendosjen dhe aktivitetet e Agjencisë Franceze për Zhvillim, PROPACO dhe Expertise France në Kosovë. Është aprovuar kërkesa e Shoqatave të dala nga Lufta e UÇK-së, për ndarjen e mjeteve financiare, të cilat do të përdoren për funksionim të shoqatave, për rehabilitim dhe trajtim të pjesëtarëve të shoqatave dhe për mbulimin e shpenzimit të varrimit të veteranëve të luftës së UÇK-së. Në Mbledhjen e sotme të Qeverisë, aprovim ka marr edhe Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2020-2022 (KASH 2020-2022), që paraqet dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të hartohet Buxheti Vjetor për vitin 2020”, ka thënë i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj./21Media